LAJMI I FUNDIT:

Mbahet takimi konsultativ për çështjen e personave të zhdukur

Mbahet takimi konsultativ për çështjen e personave të zhdukur

Nën drejtimin e këshilltarit të Kryeministrit, Jahja Lluka i emëruar edhe ‘Mbajtës i Dosjes’ për çështjen e personave të zhdukur, është mbajtur takimi i përbashkët konsultativ me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Në takim është diskutuar për mundësitë e intensifikimit të angazhimit dhe koordinimit më të mirë ndërinstitucional për t’u përgjigje në kërkesat e drejta të familjeve dhe familjarëve të personave të zhdukur.

“Sot iu kemi thirrur në këtë takim konsultativ që të shqyrtojmë bashkërisht çka mund të bëjmë për të filluar një proces i cili ka ngecur kohën e fundit, edhe pse nuk mund të themi që nuk është bërë asgjë, meqë është punuar, megjithatë rezultatet nuk janë të kënaqshme në veçanti për familjarët”, tha Lluka.


Në këtë takim u prezantua puna dhe aktivitetet e realizuara nga ana e institucioneve kompetente.

Po ashtu u diskutua edhe rreth adresimit të sfidave me të cilat përballet procesi e që kryesisht ndërlidhen me mungesën e informacioneve të besueshme, çështjen e mbetjeve mortore të paidentifikuar dhe mundësitë për një trajtim më të mirë ligjor dhe institucional për familjet e personave të zhdukur.

Në këtë takim u kërkua nga të gjithë të pranishmit që në një afat prej shtatë ditësh të dërgojnë propozimet me shkrim, bazuar në fushëveprimin dhe përgjegjësitë e tyre institucionale, për intensifikim të përpjekjeve dhe planifikimeve më të mira të përbashkëta për zgjidhjen e kësaj çështjeje. /Telegrafi/