Mbahet Forumi i Dytë i Paqes në Pejë – thirrje për ndërtimin e besimit në një botë të paqëndrueshme

Në një kohë kur bota po përballet me tensione, konflikte dhe pasiguri të vazhdueshme, Peja po shndërrohet në një qendër të rëndësishme të dialogut për paqe dhe mirëkuptim.
Edicioni i dytë i “Forumit të Paqes në Pejë”, me temën “Ndërtimi i besimit dhe mirëkuptimit në një botë të paqëndrueshme”, po mbahet më 5 nëntor 2025, duke mbledhur personalitete ndërkombëtare si gjenerali Wesley Clark, përfaqësues të institucioneve vendore, akademikë dhe përfaqësues të organizatave globale.
Porosia e Gjeneralit Clark për paqen dhe demokracinë ishte e thjehtë por kuptimplote: “Demokracia është si ajo lulja e freskët që nëse nuk ujitet me kujdes përditë, rrezikon të thahet”.

Themeluesi i këtij forumi, Dr. Neshad Asllani, në një prononcim për Telegrafin, tha se ideja për organizimin e forumit ka rrënjë në historinë e Pejës për edukim në fushën e të drejtave të njeriut.
“Forumi i Paqes në Pejë është një iniciativë që ka lindur në Pejë, duke u mbështetur në trashëgiminë që ky qytet ka në edukimin për të drejtat e njeriut. Që nga viti 2000, kur u themelua Qendra Kosovare për të Drejtat e Njeriut, kemi zhvilluar edhe Akademinë për të Drejtat e Njeriut dhe kampin ‘Kalimi i urave për nxënës’. Nga viti 2000 deri më 2022 kemi bashkëpunuar me profesorë dhe faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshirë UNESCO-n në Paris, me të cilën kemi pasur marrëveshje për edukim në të drejtat e njeriut. Kjo na ka shtyrë ta vazhdojmë këtë rrugëtim, por në një format tjetër”, tha Asllani.
Ai shtoi se ky edicion i dytë është vazhdimësi e përpjekjeve të nisura një vit më parë.
- YouTube www.youtube.com
“Vitin e kaluar organizuam edicionin e parë me temën ‘Ndërtimi i paqes në një botë rivaliteti’, duke reflektuar mbi zhvillimet globale dhe situatën në vendin tonë, ku shpesh mungon bashkëpunimi mes akterëve politikë. Kjo ndikon negativisht në zhvillim dhe krijon pakënaqësi te qytetarët”, theksoi Asllani.
Ndërkohë, rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, theksoi se brezi i ri mban barrën më të madhe për ndërtimin e paqes.
“Paqja dhe edukimi për paqe janë përgjegjësi e brezit të ri. Ata kanë idetë, fuqinë dhe gatishmërinë për ndryshimet që i duhen shoqërisë. Me këtë forum, ne po përpiqemi ta ngremë nivelin e vetëdijes dhe edukimit për paqe në mesin e studentëve dhe rinisë”, tha Krasniqi për Telegrafin.
Presidenti i “Rotary Club Peja”, Prof. Bashkim Nurboja, theksoi se një nga misionet kryesore të Rotary International është parandalimi i konflikteve.
“Rotary International ka për mision promovimin e paqes dhe parandalimin e konflikteve. Si klub i Pejës, ne kontribuojmë në këtë drejtim përmes organizimit të ngjarjeve që rrisin vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e paqes. Dialogu është thelbësor, por kërkon një infrastrukturë të gjerë ekonomike, politike, arsimore dhe mediale që e mbështet atë. Paqja nuk është vetëm mungesë e luftës — është liri, mirëkuptim dhe dialog për dallimet”, tha Nurboja.
Në anën tjetër, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Dr. Ahmet Ismaili, foli për rëndësinë e përdorimit të euros si valutë në Kosovë.
“Euroja ishte një zgjidhje shumë e mençur e kohës. Ajo mundësoi stabilitet të çmimeve, kontroll të inflacionit, lehtësim të tregtisë dhe investimeve. Për më tepër, krijoi siguri në kursime dhe ndihmoi në afrimin me Bashkimin Evropian. Ishte një nga vendimet më të qëlluara për ekonominë e vendit”, deklaroi Ismaili.
Ndërkaq, guvernatori i Distriktit 2485 të Rotary në Shqipëri, Arben Dushi, vlerësoi lartë angazhimin e “Rotary Club Peja” në ndërtimin e paqes.
“Paqja dhe parandalimi i konflikteve janë ndër shtyllat kryesore të Rotary-t. Ky forum është i mirëpritur dhe i vlerësuar kudo, sidomos në një kohë kur bota përballet me turbullira e tensione. Ai merr një kuptim edhe më të rëndësishëm për audiencën që i drejtohet”, u shpreh Dushi.
Në fund, nënkoloneli Behar Mara theksoi rëndësinë e sigurisë në Kosovë dhe rolin e faktorit ndërkombëtar në ruajtjen e stabilitetit.
“Paqja dhe siguria në Kosovë nuk arrihen vetëm përmes institucioneve vendore, të cilat tashmë kanë arritur standardet e nevojshme, por edhe falë mbështetjes së KFOR-it, që prej 26 vjetësh luan rol kyç në garantimin e sigurisë. Kjo bashkërenditje mes institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare siguron paqe, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm për vendin”, tha Mara./Telegrafi/


































