Maroku U20 trondit Argjentinën dhe shpallet kampion bote

Maroku po ngjitet me hapa të sigurt drejt statusit të një fuqie të madhe në futbollin botëror.
Pas suksesit historik të kombëtares A në Katar 2022, ku arriti deri në gjysmëfinale, tani edhe përfaqësuesja U-20 ka bërë historinë e saj, duke u shpallur kampione bote për herë të parë.
Në finalen e Kupës së Botës për të rinj, të zhvilluar në stadiumin “Julio Martinez Pradanos” në Kili, Maroku mposhti Argjentinën me rezultatin 2:0. Përfaqësuesja afrikane dominoi ndeshjen që në minutat e para, duke treguar pjekuri taktike dhe intensitet të lartë kundër një rivali që konsiderohej favorit absolut.
🇲🇦🏆 MOROCCO ARE #U20WC CHAMPIONS!#LegendsInTheMaking pic.twitter.com/kGw3slIssc
— FIFA World Cup (@FIFAWorldCup) October 20, 2025
Heroi i madh i finales ishte sulmuesi i skuadrës portugeze Famalicao, Yassir Zabiri, i cili realizoi dy gola vendimtar në pjesën e parë, duke i dhënë skuadrës së tij një avantazh që nuk u rrezikua më. Argjentinasit tentuan të reagojnë në pjesën e dytë me presion të vazhdueshëm, por mbrojtja e hekurt marokene nuk lejoi asnjë kthesë dramatike.
Ky sukses e vendos Marokun në një nivel të ri zhvillimi, duke treguar se projekti i futbollit të këtij vendi po jep frytet e veta në të gjitha grupmoshat. Pas “mrekullisë” së Katarit, tani edhe gjenerata e re e Luanëve të Atlasit ka treguar se e ardhmja është po aq premtuese.
What a beauty from Zabiri! 😍🇲🇦#U20WC pic.twitter.com/sfS1dEp8Bg
— FIFA World Cup (@FIFAWorldCup) October 20, 2025
Festime madhështore shpërthyen në të gjithë Afrikën e Veriut pas triumfit historik. Mediat ndërkombëtare raportojnë se atmosfera e gëzimit në Marok nuk është shuar as pas orëve të para të mëngjesit, me tifozët që vazhdojnë të kremtojnë një arritje që e forcon pozitën e tyre si fuqi në rritje.
Sipas “Goal.com”, kombëtarja e Marokut renditet aktualisht si favoritja e shtatë për Kupën e Botës 2026.
Me disa prej talenteve të U-20 që pritet t’i bashkohen ekipit të parë, potenciali i kësaj përfaqësueseje duket edhe më i madh, ndërsa ëndrra për një trofe botëror në nivelin e seniorëve duket tashmë më e afërt se kurrë. /Telegrafi/
World Champions! 🏆🇲🇦#U20WC pic.twitter.com/oG1N7WsTJM
— FIFA World Cup (@FIFAWorldCup) October 20, 2025



































