Këngëtarja e famshme Mariah Carey është shprehur e habitur kur gjatë një interviste për BBC-në mësoi se kolegia e saj, Katy Perry, kishte udhëtuar në hapësirë.

Gjatë bisedës, moderatori Scott Mills e pyeti Mariah nëse do të donte ndonjëherë të shkonte në hapësirë, ashtu si Katy Perry. Mariah u shtang dhe reagoi me habi: “Ajo ka qenë në hapësirë?!”


Moderatori e konfirmoi lajmin duke sqaruar se udhëtimi ndodhi, por nuk zgjati shumë. “Ku ka shkuar?” pyeti sërish Mariah me një shprehje të habitur. Mills tha: “Në hapësirë,” dhe shtoi se Katy kishte udhëtuar deri në orbitë dhe ishte kthyer mbrapsht.

“Dhe kjo është e vërtetë?”, vazhdoi Mariah e habitur. “Po, është e vërtetë, nuk po e shpik,” ia ktheu moderatori, duke theksuar se Katy ka folur hapur për përvojën e saj.

“Wow. Bravo, Katy. Është diçka e jashtëzakonshme,” tha Mariah. Kur u pyet sërish nëse do të shkonte edhe ajo, ajo qeshi dhe u përgjigj: “Mendoj se kam bërë mjaftueshëm deri tani”.

Katy Perry ishte pjesë e një udhëtimi në hapësirë më 14 prill, me raketën New Shepard të kompanisë Blue Origin. Ajo u shoqërua nga gazetarja Gayle King, e fejuara e Jeff Bezos, Lauren Sánchez, producentja Karianne Flynn, ish-shkencëtarja e NASA-s Aisha Bowe dhe aktivistja Amanda Nguyen. Udhëtimi zgjati vetëm 11 minuta.

Foto: Instagram

Pas këtij udhëtimi, Katy është përballur me kritika të shumta nga opinioni publik. Në një reagim të saj, këngëtarja u shpreh: “Jam shumë mirënjohëse. Jemi bashkë në këtë udhëtim të bukur dhe të çmendur. Falë kësaj lidhjeje që kam me ju, mund të jem vetvetja, e sinqertë dhe me zemër të hapur. Ju lutem, dijeni që jam mirë. Kam punuar shumë për të kuptuar kush jam, çfarë është reale dhe çfarë ka vërtet rëndësi”.

Duke iu referuar kritikëve online, ajo shtoi: “Kur bota e internetit përpiqet të më kthejë në një pinjatë njerëzore, e pranoj me zemërgjerësi dhe u dërgoj dashuri, sepse e di që shumë njerëz vuajnë në mënyra të ndryshme, dhe interneti është një vend ku të dëmtuarit dhe ata që janë në shërim hedhin opinionet e tyre. Nuk jam e përkryer — në fakt, e kam hequr këtë fjalë nga fjalori im”. /Telegrafi/