Maqedonia sot synon vetëm fitore ndaj Kazakistanit

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut sonte me fillim në ora 20:45 do të përballet me Kazakistanin në ndeshjen e parafundit të ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror, njofton Telegrafi.
Të përzgjedhurit e trajnerit Bllagoja Milevski janë nën presion për të marrë tri pikët në përballjen që do të zhvillohet në stadiumin “Arena Todor Proeski” në Shkup, në mënyrë që të ruajnë shanset për renditje sa më të lartë në grupin J.
Kjo do të jetë vetëm ndeshja e dytë zyrtare mes dy përfaqësueseve, pas asaj të zhvilluar më herët në Astanë në kuadër të këtij cikli. Deri më tani, Maqedonia e Veriut ka luajtur gjithsej tri herë ndaj Kazakistanit dhe nuk ka pësuar asnjëherë humbje, përkundrazi, ka regjistruar dy fitore dhe asnjë gol të pranuar.
Në miqësoren e zhvilluar në Shkup në qershor të vitit 2021, kuqeverdhët fituan me rezultat bindës 4-0 falë golave të Ezgjan Alioskit, Ivan Triçkovskit, Stefan Ristovskit dhe Darko Çurlinovit. Ndërsa në përballjen e parë të këtij cikli kualifikues në Astanë, fitoren minimale 0-1 e siguroi Aleksandar Trajkovski.
Aktualisht, Maqedonia e Veriut kryeson grupin me një pikë më shumë se Belgjika dhe dy më shumë se Uellsi, ndërsa këto dy përfaqësuese përballen sonte mes vete.
Megjithatë, të dyja kanë nga një ndeshje më pak se skuadra e Milevskit, ndaj fitorja në këtë duel është jetike për të ruajtur epërsinë dhe ëndrrën drejt Botërorit. /Telegrafi/



















































