Manifestimi “Ditët e Agimit 2025” në Gjilan nis me aktivitete sportive dhe kulturore në nderim të heroit Agim Ramadani

Nën përkujdesjen e Komunës së Gjilanit dhe në organizim të Shoqatës Kulturore “Ditët e Agimit” në Zhegër, më 1 maj nis manifestimi tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2025”.
Ky manifestim përfshin një sërë aktivitetesh përkujtimore, sportive dhe kulturore në nderim të heroit kombëtar Agim Ramadani.
Programi hapet më 1 maj, në ora 09:00 me turneun në futboll të vogël “Edhe me sport e kujtojmë Agimin”, duke sjellë të rinjtë e vendit në një frymë sportive dhe përkujtimore. Po këtë ditë, në ora 19:30, mbahet aktiviteti solemn “Flakadanët e Lirisë”, i kushtuar 114 dëshmorëve të rënë në betejën heroike të Koshares.
Aktivitetet vazhdojnë nga 2 deri më 4 maj me ngjarje të shumta, përfshirë turneun tradicional në "Snooker", një garë ndërkombëtare në karate më 4 maj, si dhe memorialin tradicional të peshkatarisë të organizuar nga SHPSR "Cormoran" në Gjilan.
Më 2 maj, në ora 14:00, organizohet aktiviteti poetik “Muza e Agimit”, ku poetë nga trojet shqiptare do të sjellin vargje kushtuar heroit Agim Ramadani, duke përforcuar dimensionin kulturor të këtij manifestimi.
Dita e tretë, 3 maj, sjell përkujtimin e ditëlindjes së Agim Ramadanit dhe “Ditën e Shkollës”, që fillon në ora 11:00. Më pas, në ora 16:00, mbahet “Tubimi Qendror – I këndojmë Agimit”, ku do të marrin pjesë emra të njohur të estradës shqiptare.
Manifestimi “Ditët e Agimit” është shndërruar në një traditë të rëndësishme për Komunën e Gjilanit dhe për mbarë shqiptarët, duke përkujtuar me dinjitet figurën e Agim Ramadanit. /Telegrafi/

















































