Malisheva ka regjistruar një fitore të madhe në udhëtim te Drenica, në kuadër të xhiros së shtatë në Superligën e Kosovës.

Skuadra e Bylbyl Sokolit ishte në epërsi prej 3-1, megjithatë Malisheva në stilin e Real Madridit bëri një përmbysje fantastike për epilogun përfundimtar 3-4.


Vendasit e nisën për mrekulli, ku pas vetëm katër minutave lojë – Chacon e shtangi Malishevën për ta zhbllokuar rezultatin (4’).

Me të njëjtin ritëm vazhduan, ku ishte Kreshnik Uka që e dyfishoi epërsinë me një gol nga afërsia (13’).

Malisheva arriti ta ngushtojë epërsi përmes Altin Aliut, rezultat me të cilin përfundoi kjo pjesë (45’).

Drenica prapë ishte më kërkuese, me Ukën që shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për vendasit (69’).

Kur të gjithë menduan se Drenica i fitoi pikët e plota, Malisheva s’u dorëzua dhe arriti ta bëjë ndeshjen edhe më interesante. Fillimisht, Etnik Brruti shënoi supergol për ta ngushtuar epërsinë (72’).

Kurse, vetëm tre minuta më vonë, Besnik Ferati me gol të bukur e barazoi rezultatin (75’).

Krejt në fund, Malisheva arriti t’i fitonte pikët e plota falë një autogoli (90+9’).

Drenica qëndron si pozitë e katërt me 11 pikë ndërsa Malisheva zë pozitën e pestë me 10 sosh./Telegrafi/

telegrafi sport app