Malisheva ka fituar me rezultat 4-0 në udhëtim te Trepça ’89 në ndeshjen e vlefshme për fazën e 1/8-tës në Kupën e Kosovës, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale.

Klubi nga Superliga është treguar shumë i fortë për vendasit nga Liga e Parë, duke i mposhtur me dominim dhe rezultat të thellë në takimin e luajtur në stadiumin Riza Lushta në Mitrovicë.


Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë dhe me më shumë raste nga mysafirët, të cilët shënuan edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 31-të me anë të Assane Diatta, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Etnik Brrutit, ndërsa shënuesi i golit të parë asistoi për Arbër Pirën, i cili shënoi ne minutën e 35-të për 2-0.


Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të mysafirëve, të cilët shënuan përsëri dy gola dhe akteri kryesor ishte po ai i pjesës së parë, Diatta.

Diatta shënoi në minutën e 75-të për epërsinë 3-0, ndërsa Rilind Hetemi asistoi për Valmir Nafiun në minutën e 88-të për rezultatin përfundimtar 4-0.


Me këtë fitore, malishevasit e sigurojnë kualifikimin në çerekfinale, në mesin e tetë skuadrave të cilat do ta kërkojnë trofeun e Kupës së Kosovës.

Ndryshe, kualifikimin deri tani e kanë siguruar Llapi, Ferizaj, Dukagjini, Ballkani, Gjilani dhe Vushtrria, ndërsa emri i fundit do të mësohet në ndeshjen e vetme të mbetur në mes të Feronikeli ’74-Dinamo. /Telegrafi/

telegrafi sport app