Shkëndija dhe Shkupi ndajnë pikët në një spektakël me gjashtë gola, Gostivari ndalon ndeshjen pas humbjes ndaj Rabotniçkit, pronari i klubit tërhoqi ekipin pasi nuk ishte i kënaqur me arbitrimin, njofton Telegrafi.

Java e 29-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut solli emocione të forta, sidomos në derbin shqiptar ndërmjet Shkëndijës dhe Shkupit në Tetovë, e cila edhe pse u luajt pa publik dhuroi futboll tw mirw, ku të dyja ekipet ndanë pikët pas një përballje dramatike që përfundoi 3-3.


Ndeshja nisi me dy autogola. Fillimisht ishte Merxhani i Shkëndijës që realizoi në portën e tij, ndërsa barazimin për "kuqezinjtë" e riktheu Diene i Shkupit, gjithashtu me autogol. Pas këtyre golave, Shkupi mori kontrollin, duke shënuar edhe dy herë përmes Demir Imerit – me një tjetër perlë nga gjuajtja e lirë – dhe Xhemal Ibishit, që çuan shifrat në 1-3 në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, Shkëndija rriti ndjeshëm presionin. Një tjetër autogol i Dienes ngushtoi shifrat, ndërsa në minutën e 86-të, pas një super aksioni, Adonis Shala shënoi me kokë golin e barazimit 3-3, duke shpëtuar një pikë të vlefshme për ekipin tetovar.

Ndërkohë, drama tjetër ndodhi në Shkup në stadiumin “Boris Trajkovski”. Skuadra e Gostivarit u mposht 1-2 nga Rabotniçki, në një ndeshje të tensionuar ku fillimisht kaloi në epërsi me golin e Erwin Lee, por pas daljes së tij me karton të kuq dhe përmbysjes së rezultatit nga mysafirët, drejtuesit e Gostivarit vendosën ta ndërpresin ndeshjen, duke tërhequr ekipin nga fusha, e shkak ishte arbitrimi. Një veprim që ndjek shembullin e Voska Sportit, që javën e kaluar u largua nga gara për shkak të pakënaqësive ndaj referimit.

Në ndeshjet tjera të javës, Struga barazoi pa gola në transfertën ndaj Sileksit, një rezultat që gjithsesi i përshtatet Shkëndijës, ndërsa Vardari mposhti Besën me rezultat 3-1 dhe Pelisteri fitoi një ndeshje jetike për mbijetesë ndaj Tikveshit. AP Brera fitoi në tavolinë 3-0 përballë Voska Sportit, që tashmë është tërhequr zyrtarisht nga kampionati. /Telegrafi/

Rezultatet e javës së 29-të: Shkëndija – Shkupi 3-3, Gostivari – Rabotniçki 1-2 (e ndërprerë), Sileksi – Struga 0-0, Vardari – Besa 3-1, Pelisteri – Tikveshi 1-0, AP Brera – Voska Sport (3-0 zyrtarisht)

telegrafi sport app