LAJMI I FUNDIT:

Lule e pranverës së vonuar

Lule e pranverës së vonuar

Verona Sekiraqa

Kur të gjithë po mendonin se kroatja e korbit kohë më parë kishte sjellë zi të përjetshëm, që tani përveç diellit të strukur nën re, asgjë më s’po gjallëronte, atëherë kur askush nuk e priti, u dëgjua një cicërimë zogjsh të bardhë që si yje kishin mbuluar qiellin, ndonëse ende s’ishte pranverë dhe për të gjithë ishte çudi të kthehen zogjtë shtegtar pa qelë as lulet.


Ata nuk ishin zogj të huaj, ata ishin zogjtë shqiptarë, të ushqyer me drithin e kësaj toke arbërore dhe me ujë të pastër kroi. Edhe pse erdhën pa çel pranvera, unë i quaj zogj të një pranvere të vonuar.

Tërë këto mendime të mia ishin pjesë gjumi, që nga ai nuk më zgjoi zhurma e veturave, as cicërima e zogut në dritare, por më zgjoi vetë ndjenja se sot shteti im ka ditëlindjen e dhjetë, e bashkë me të edhe të gjithë ne, sepse të gjithëve në atë ditë të para dhjetë viteve na u ngjallë jetesa dhe na u vu buzëqeshja.

Gjëja e parë që bëra sapo u zgjova ishte se mendova për ata që kontribuuan për këtë ditë, e ata janë heronjtë tonë trima, që gjaku i tyre shërbeu për ujitjen e luleve të lirisë, dhe sikur poleni i tyre u bë aromë lirie që ne sot e frymojmë.

Papritur mu kujtuan ato nëna bujare që duke festuar pavarësinë përkujtuan djemtë trima, për të cilët jeta ishte destinim për tu flijuar për atdhe.

Në mesditë dola në qytet, çdo gjë frymonte, çdo gjë ishte e gjallë, e nganjëherë më parafytyrohej sikur edhe vetë Zahir Pajaziti po qeshte, në atë moment mu kujtuan shumë gjenerata të gjyshërve e stërgjyshërve tanë që këtë ditë e pritën me shekuj, sikur na shikojnë nga qielli e thonë: Ju lumtë, qëllimi ynë jetësor më në fund u përmbush, ndonëse s’jemi aty ne jemi me ju! dhe në të vërtetë edhe unë ashtu mendoja, edhe pse i takonim dy botëve të ndryshme, jemi pjesë e një bote, botës shqiptare.

Sikur edhe pëllumbat në atë të ftohtë po vallëzonin në qiell, çdo gjë kishte hedhur valle, në çdo skutë buzëqeshja zuri vend, ndërsa mua vetja më dukej se isha vetëm një spektatore e këtij rrugëtimi për liri, dhe se kontribuova vetëm kur kësaj pavarësie ia shtova një buzëqeshje. Ndjehem shumë me fat që në moshën më të mirë të jetës ta përjetoj këtë gëzim shekullor, dhe me krenari mund të them se edhe unë kam shtet.

Ka kohë që kam pritur të qelë kjo lule, ndonëse farën ia kemi vënë shumë kohë më parë, e ndoshta prej kohës së egër nuk mund të mbinte.

Shpesh pyesja veten: A thua kur do të mbijë kjo lule?

Në një çast të papritur, edhe pse të shumë pritur petalet e lules dolën në jetë, ndonëse që prej kohësh ishin mugulluar. Edhe pse mbiu në shkurt, unë do ta quaja “Lule e pranverës se vonuar”.

Ajo e pati të vështirë të dalë në hapësirë, por jo edhe për të mbajtur freskinë e saj.

Edhe pse jemi ne dimër dhe çdo gjë merr pamje të vdekur, ajo më e gjallë se kurrë lulëzon në mes të bimëve tjera.