Lukaku: Shihemi së shpejti

Rikthimi i Romelu Lukakut në fushë po afrohet.
Sulmuesi i Napolit ka zhvilluar sot një seancë stërvitore individuale dhe teksa largohej nga fusha, u përshëndet shkurtimisht me gazetarët duke thënë: “Shihemi së shpejti”.
Ylli belg pritet të rikthehet në lojë para fundit të muajit, me mundësi të debutojë në sezonin 2025–26 kundër Udineses në Serie A ose ndaj Milanit në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë.
Ai nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e së nesërmes në Ligën e Kampionëve ndaj Benficas, por sipas Corriere dello Sport, sulmuesi pritet të grumbullohet për njërën nga dy ndeshjet e ardhshme.

Lukaku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas një dëmtimi të rëndë në kofshë të pësuar gjatë një miqësoreje para sezonit në gusht, çka detyroi Napolin të afronte Rasmus Hojlund nga Manchester United, ndonëse më herët gjatë verës kishte transferuar edhe Lorenzo Luccën.
Në sezonin e tij të parë me Napolin, 2024–25, Lukaku realizoi 14 gola në 38 paraqitje, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në fitimin e Scudettos. /Telegrafi/


















































