Luftërat, “traditë rajonale” në Ballkan

Luftërat ballkanike nga viti 1912-1913, por edhe konflikti në trojet e ish-Jugosllavisë në vitet '90 të shekullit XX, kanë qenë objekt i analizave të shumë ekspertëve të njohur ndërkombëtarisht. Konkretisht, të dy vorbullat e luftës i kanë analizuar anëtarët e fondacionit Carnegie, në të ashtuquajturat Carnegie Report. Raporti më i ri nga viti 1995 është dashur që në frymën e njëjtë, si në vitet 1913-1914, të ndjekë gjurmët e paraardhësve të tyre, t'i hulumtojë arsyet e luftërave në ish-Jugosllavi për secesion. Edhe në këtë komision, si në atë të vitit 1913, kanë qenë të anëtarësuar politikanë, shkencëtarë dhe gazetarë, shkruan DW.
“Raporti i Komisionit Carnegie nga pranvera e vitit 1914, nga opinioni ndërkombëtar pothuajse ka kaluar pa u vërejtur”, thotë profesori Wolfgang Hoepken nga Universiteti i Lajpcigut, i cili i analizon luftërat nga fillimi deri në mbarim të shekullit të kaluar në Ballkan.
Dhe, kur lufta e re, Lufta e Parë Botërore ka qenë para dyerve, është mëse logjike që luftërat rajonale nuk kanë qenë më me interes.
Mirëpo, ka pasur edhe diçka pse raporti i Komisionit Carnegie nuk ka pasur jehonë të madhe. Kjo për arsyen se Komisioni, përmes neutralitetit të vet, ka dashur të tregojë krimet që për opinionin evropian nuk kanë qenë ndonjë risi e madhe, sepse shtypi ndërkombëtar i ka ndjekur të gjitha ndodhitë që nga viti 1912 deri në vitin 1913.
Ajo që është konstatuar në raportin e komisionit - se luftërat ballkanike kanë qenë më të tmerrshmet e kohërave moderne - ka qenë vetëm përsëritje e asaj që dihej. Prandaj, siç komenton Hoepken, ka ndodhur që luftërat nga viti 1912-1913 të harrohen dhe sërish të aktualizohen në vitet ‘90, pesë dekada pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur përsëri u ngjallën antagonizmat e vjetra të cilat kanë qenë të theksuara edhe në raporte si “traditë rajonale” në Ballkan.
“Nëse Komisioni Carnegie në vitin 1913 është marrë kryekëput me hulumtimin dhe rrjedhën e luftërave si dhe pasojat e luftës ndaj popullatës civile, Komisioni i vitit 1995 është dashur të formulojë propozime përmes të cilave do të sigurohej një paqe e qëndrueshme në rajon. Komisioni i ri është marrë dhe ka përpunuar problemet strukturore, kombëtare dhe ekonomike në rajon. Ashtu si në vitin 1912-1913, edhe luftërat e viteve 1990 janë karakterizuar nga krimet ndaj popullsisë civile. Edhe një herë në rajon dhuna është identifikuar si tradicionale. Është interesante që haptas është theksuar se në tërë proceset e viteve të ‘90-ta, ndikimin e vërtetë nuk e ka pasur opinioni publik, por akterët e mëdhenj të politikës”, nënvizon profesori, i cili fokusohet edhe në dallimet dhe ngjashmëritë mes luftërave ballkanike nga viti 1912-1913 dhe atyre më moderne në vitet e 90-të gjatë shkatërrimit të ish- Jugosllavisë.
“Luftërat ballkanike nga fillimi i shekullit XX, kanë qenë konflikte në të cilat shtetet kanë dashur të zgjerohen, të fitojnë territore të reja. Luftërat nga vitet e ‘90-të kanë qenë luftëra të ndarjes, të shkatërrimit të një shteti - Jugosllavisë. Luftërat ballkanike nga vitet 1912-1913, kanë pasur karakter rajonal, në të cilat u inkuadruan më shumë shtete, që krijuan aleanca mes tyre. Luftërat e viteve të ‘90-ta kanë mbetur në kufijtë e shteteve që u shkatërruan në territorin e shtetit jugosllav”. /Telegrafi/
Sipas ekspertit gjerman, luftërat nallkanike kanë qenë postimperialiste, konfliktet në ish-Jugosllavi kanë qenë proces shpërbërës gjatë të cilit është shkatërruar një shtet dhe simboli i tij udhëheqës, demokracia.
“Paralelja që mund të bëhet në këtë rast mes dy luftërave nga fillimi dhe përfundimi i shekullit të kaluar, është dhuna elementare e luftës. Edhe në të dyja rastet pastrimi etnik ka pasur për qëllim zgjerimin e territorit ndërsa viktimë ka qenë popullata civile. Edhe në 1912-1913, edhe në luftërat e viteve të 90-ta, karakteristikë ka qenë shkatërrimi i gjurmëve kulturore dhe fetare të identitetit”.
Edhe një dallim i madh midis luftërave ballkanike të vitit 1012-1913 dhe atyre të viteve të 90-të, ka qenë në modernitetin e luftimit. Por, të mos ketë hamendësime: ajo që është më e re nuk do të thotë edhe më moderne. Profesori luftërat ballkanike nga fillimi i shekullit XX, i vlerëson si më moderne, sepse, siç thotë ai, në atë kohë është shfrytëzuar armatimi më bashkëkohor dhe ka pasur beteja masive dhe të mëdha. Luftërat e viteve të ‘90-të nuk kanë qenë aspak moderne dhe në përputhje me kohën. Nuk janë aplikuar finesa të mëdha teknologjike, nuk ka pasur luftëra frontale, por strategji të përdorimit të snajperëve dhe masakra. /Telegrafi/





















































