Louis Vuitton gjobitet për pastrim parash në Holandë

Dega holandeze e prodhuesit francez të mallrave luksoze Louis Vuitton u detyrua të paguajë një gjobë prej 500 mijë eurosh si pjesë e një marrëveshjeje jashtë gjykate lidhur me një hetim për pastrim parash, njoftoi Prokuroria Publike e Holandës.
Prokurorët thanë se kompania nuk i kishte respektuar ligjet për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, pasi u zbulua se një grua 36-vjeçare nga Lelystad përdorte disa emra për të blerë mallra luksoze me para të fituara në mënyrë kriminale, duke harxhuar mbi 2 milionë euro nga gushti i vitit 2021 deri në shkurt të vitit 2023.
Sipas hetuesve, ajo dërgonte çanta luksoze dhe artikuj të tjerë me shumë vlerë në Kinë për t’i shitur atje, në mënyrë që të dukej se të ardhurat i vinte nga tregtia e ligjshme, shkruan newyorktimes.
Prokuroria tha se Louis Vuitton nuk kishte kontrolluar mjaftueshëm identitetin e klientëve dhe blerjet e mëdha me para në dorë, duke lejuar kështu që transaksionet e dyshimta të kalonin pa u raportuar autoriteteve.
Gjoba u vendos për të shmangur procesin e gjykimit përpara Gjykatës Rajonale të Roterdamit.
Hetimi penal ndaj gruas 36-vjeçare dhe dy personave të tjerë, përfshirë një ish-punonjës të Louis Vuitton, vazhdon ende. /Telegrafi/




















































