LAJMI I FUNDIT:

Loro Cini, katundari me humor “antiparti”

Loro Cini, katundari me humor “antiparti”
Ilustrim

Nga: Pjetër Logoreci

Shkodranve, që e kanë njoftë katundarin prej Rrencit – Loro Cini, i sillen nëpër krye historina e kujtime t’pa shlyeshme për ktë figurë. Lorja ishte i veçantë, por edhe enigmatik për nga mënyra e sjelljes, e t’folunit, e qëndrimit, por ma fort për thumbat e batutat “ideologjike” që i lshonte pa doganë. Flit’te tuj t’prekë me dorë e tuj t’vëzhgue për efektin e fjalve t’tija, aq sa, shumë kush mendonte se ishte “provokator” i futun prej sigurimit për me “peshkue” ndonji kontigjent për burg.

Rastisa nji herë tek artistikja n’Shkoder, ndërsa Lorja me nji calik raki e nji thas me vargje të duhanit t’pa grimë po i drejtohej qytetit.


Ashtu i zhelosun e i ndytë si ishte, ecte e tallej tue përshndetë me grusht njerzit, si t’ishte nji komisar i kuq.

– … “Më ka ngarkue Partia” … me i çu n’qytet – thirrte me za t’naltë tuj tregue me gisht ngarkesen “ilegale” që mbante n’shpinë.

Do djelm t’ri, që pritshin daljen e vajzave t’artistikes, filluen me qeshë e me u tallë me katundarin prej Rrencit.

– Afronju, afronju pak t’ju diftoj çka m’ka pas ndodhë dikur … – na fton Lorja t’gjithve sa ishim aty, tue ba me dorë shenjën e afrimit….

– Ndigjojmë edhe ktu ku jena – po i thotë dikush që e dinte se asht “rrezik” me u afrue, mbasi edhe roja i artistikes prezent aty, ishte nji “fuks” që t’fikte derën.

– Ishin muajt e parë … kur hynë kta. Bashke me babën po mblidhshim zarzavate n’kopsht, ndërsa nana po vjelte fikun …  – fillon me diftue Lorja mbasi uli ngarkesën n’cep t’asfaltit – kur perbri kopshtit tonë po kalon nji varg me partizan, t’mbluem n’pluhun e t’thame për ujë e bukë…

– A u lodhet? – i lshon za baba si simpatizant i çlirimtares.

Asnji përgjigje, ndërsa nji ma i lodhuni që ishte n’ bisht t’rreshtit u ndal e kërkoi ujë.

I dhamë ujë atij e atyne që u erdhën mbas tij.

– Ndaluni pesë minuta e merrni do fiq me amelcue gojën … – i lutet baba – gruja sapo ka vjelë fikun.

– Jo, jo, faleminderit. Rroftë Partia … folën nji gojet n’ecje e sipër ato t’ujit.

– U habitëm, me thanë t’drejtën – vazhdon Lorja – se si ikën ashtu, pa prek asnji kokërr fik. Kaluen vjet, e partia gjithnji “ma e fortë e ma e dashtun”, e tesh “n’saje t’partisë”, u bamë edhe na katundarët me dishru fikun e ujin e pishëm. Tash dal me nanën e rrimë n’fresk, buzë nji bunkerit që “na ka ra për hise” para shpie, se kopshtin na e pat marrë koprativa. I tham nanës: A din nanë pse nuk patën marrë asnji kokërr fik ato partizanët atëherë? … Se e paskan mendue qysh se erdhën, me na i marrë me gjithë rrajë …

– Mbyll gojën Loro, se goja llap e shpinda dap … – bërtiti roja mustakoq i artistikes, tuj çu cepin e xhaketës me ju dukë alltija që i kishte dhanë diktatura e proletariatit …