LAJMI I FUNDIT:

LORELAI

LORELAI

Poezi nga: Heinrich Heine
Përktheu: Jorgo Bllaci

Nuk di pse jam kaq i hutuar,
Kaq brengë pse kam në gji;
Një prrallëz e kohës së shkuar
S’më hiqet nga mendt kursesi.

Fillon errësohet. Rini
Në heshtje të thellë dremit
Dhe shkëmbin në breg perëndimi,
Me rrezet e fundit, shkëndrit.


Atje, majë shkëmbit të lartë,
Këndon ëmbëlsisht Lorelai;
Dhe petku i shtatit, i artë,
Dhe krehri në dorën e saj.

Papo nëpër t’artën gërshetëz,
Plot hir ajo krehrin kalon.
Dhe kënga magjike, fshehtas,
Gjithë vendin përreth e pushton.

Shastisur prej saj, lundrari
Çan rrjedhën me vrull, po ç’e do:
Nuk sheh që shkëmbinj ka përpara,
Se sytë i mban lart tek ajo!

Tani, unë e di, lumi i gjërë
Mbi të rrjedh me shkulm e vaj.
Dhe gjithë këtë gjëmë e bëri,
Me këngën e saj, Lorelai.