Autoritetet zvicerane kanë ndërmarrë një operacion evakuimi të pazakontë, duke shtuar bagëti në listën e të evakuuarve, pas kërcënimit nga një rrëshqitje e mundshme dheu në një fshat alpin.

Rreth 300 banorë të fshatit Blatten në luginën jugore të Lotschental, që ndodhet në Alpet Zvicerane, u detyruan të largoheshin për shkak të rrezikut të lartë nga rrëshqitjet e dheut në një faqe mali.


Kryetari i fshatit, Matthias Bellwald, shfrytëzoi një konferencë për shtyp për të lavdëruar veprimet e shpejta dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të komunitetit në procesin e evakuimit.

Ai e cilësoi këtë situatë si një shembull të solidaritetit të madh mes banorëve të fshatit, të cilët arritën të mbështesin njëri-tjetrin në një moment krize, shkruan AP, përcjell Telegrafi.

Sipas zëdhënësit të qendrës së krizës së Lotschental, Jonas Jeitziner, evakuimi ka përfshirë jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët, për të cilat janë marrë masa të jashtëzakonshme për t’u transportuar.

Në total, 190 dele, 26 lopë dhe rreth 20 lepuj janë evakuuar, përfshirë një lopë të lënduar, e cila u transportua me helikopter për t’u siguruar një trajtim mjekësor të menjëhershëm.

Alban Brigger, inxhinier i specializuar në menaxhimin e fatkeqësive natyrore për këtë rajon, tha se mjegulla e dendur e ka bërë edhe më të vështirë evakuimin, duke kufizuar mundësitë për transport dhe lëvizje të sigurt.

Megjithatë, ai theksoi se të gjitha masat e marra për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe kafshëve janë zbatuar me shumë kujdes dhe profesionalizëm. /Telegrafi/