Lois Boisson trondit Parisin – 22-vjeçarja fiton pesë herë më shumë dhe bën histori në debutimin e saj në Grand Slam

Sensacioni francez i tenisit, Lois Boisson (22), shkëlqeu në debutimin e saj në një Grand Slam duke arritur deri në gjysmëfinalet e Roland Garros, pasi mundi bartësen e gjashtë, Mirra Andreeva, me rezultatin 7-6, 6-3, përballë një publiku entuziast në fushën Philippe Chatrier.
Boisson, e cila mori pjesë falë një ftesë nga organizatorët dhe ishte e renditur e 361-ta në botë, tregoi forcë të jashtëzakonshme mendore.
Seti i parë ishte tejet i pasigurt: Andreeva udhëhoqi 5:3, por Boisson e riktheu rezultatin, shpëtoi dy set-point dhe fitoi setin e parë 8:6 në një tie-break dramatik.
Edhe pse Andreeva filloi setin e dytë me epërsi 3:0, Boisson bëri një seri mbresëlënëse prej gjashtë gejmash radhazi, duke përfituar nga nervozizmi i kundërshtares dhe përkrahja e zjarrtë e publikut, për të siguruar një vend mes katër më të mirave.
Ky sukses i jashtëzakonshëm bëri që Boisson të bëhet e para franceze që nga Amélie Mauresmo (Wimbledon 1999) që arrin gjysmëfinalen e një Grand Slam nën moshën 23 vjeç, dhe e para në historinë e Roland Garros që nga Monica Seles dhe Jennifer Capriati (1989) që e arrin këtë në debutimin e saj në një Grand Slam.
Rritje e madhe në renditje dhe financa
Me këtë arritje, ajo u ngjit plot 296 vende në renditjen e WTA, duke u renditur aktualisht e 65-ta – më e larta në karrierën e saj.
Nga 130,000 euro që kishte fituar në të gjithë karrierën e saj deri para Roland Garros, ajo ka siguruar 690,000 euro vetëm me kalimin në gjysmëfinale, duke e çuar fitimin e saj total në 820,000 euro – pesë herë më shumë sesa më parë.
Rikthimi pas dëmtimit
Boisson kishte humbur të gjithë sezonin e kaluar për shkak të një dëmtimi serioz të ligamentit të kryqëzuar. Rikthimi i saj nisi në turnetë ITF dhe në WTA 125 në Saint-Malo, ku fitoi titullin.
Në Roland Garros, ajo mundi emra si Elise Mertens (e 24-ta në botë), Anhelina Kalinina, bashkëkombësen Jacquemot dhe më pas numrin tre të botës, Jessica Pegula, në një nga surprizat më të mëdha të turneut.
“Ishte e pabesueshme, ndjenja e mbështetjes nga punliku nuk përshkruhet me fjalë. Vitin e kaluar nuk e dija nëse do të rikthehesha ndonjëherë në tenis. Tani jam në gjysmëfinalet e Roland Garros. Faleminderit ekipit tim dhe të gjithë atyre që besuan tek unë”, deklaroi Boisson pas ndeshjes.
Në përballjen për një vend në finale, ajo do të luajë kundër amerikanes Coco Gauff, e cila mposhti Madison Keys me 2:1 në sete. /Telegrafi/




















































