Nën moton “Kosovë-Shqipëri, jemi të gjallë, kur të jemi një”, u mbajt kjo akademi përkujtimore në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.

Familjarë, miq, të afërm, dhe përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë u bënë pjesë e kësaj akademie për të nderuar figurën dhe veprën e këtyre heronjve.


Enver Cikaqi nga Forcat e Sigurisë së Kosovës në fjalën e tij tha se këta burra të mëdhenj të kombit siç ishte Ilir Konushveci, Hazir Malaj, Adem Jashari e shumë të tjerë e bënë luftën e UÇK-së të shenjtë e të denjë, kur edhe sot pas kaq shumë vitesh, vepra e Ilir Konushevcit bëhet edhe më e madhe me lirinë që ka arritur Kosova dhe aspiratat e saj për proceset integruese.

Një fjalë rasti për heronjtë Konushevci dhe Malaj ka mbajtur edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, i cili tha se heronjtë si Ilir Konushevci, e bënë historinë e luftës të lavdishme.

“Ilir Konushevci e kishte lidhur emrin, jetën dhe rënien e tij heroike me një vepër të madhe, më të madhen e jetës sonë, lirinë e Kosovës dhe luftën për realizimin e saj. Mjerisht ai u vra në tokën që e deshi më së shumti, më shumë se jetën e tij. Qeveria e Kosovës do të ketë gjithnjë obligim themelor për nderimin e veprës së heronjve dhe të dëshmorëve. Ajo do të përkulet gjithmonë me nderim para emrit, jetës dhe veprës së heroit tonë Ilir Konushevcit dhe mjekut të urtë Hazir Malaj”, tha Lladrovci. /Telegrafi/