LAJMI I FUNDIT:

E gjitha që ndodhi në seancën e votimit të Qeverisë Hoti

E gjitha që ndodhi në seancën e votimit të Qeverisë Hoti

E përditësuar: Kuvendi i Kosovës mbajti sot (e mërkurë) seancë, ku u votua Qeveria Hoti.  Kuvendi i Kosovës me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim votoi për Qeverinë Hoti. Të pranishëm në Kuvend ishin 86 deputetë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se kanë bërë përgatitjet për seancën dhe u shpreh i bindur se sot do të votohet Qeveria Hoti.


Ndryshe, Qeveria Kurti, u rrëzua më 25 mars, pas votimit të mocionit të mosbesimit, iniciuar nga partneri i koalicionit, LDK-ja.

Ndërkaq, njoftimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Hashim Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, si partia e dytë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

Çështjen e dekretit Vetëvendosje e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, transmeton Telegrafi. Pas kësaj, Kushtetuesja më 1 maj kishte vendosur si masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Ndërkaq, më 28 maj Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë formimit të një qeverie të re me një votim shtatë pro dhe dy kundër dekretit të presidentit, Hashim Thaçi për mandatarin e Qeverisë, duke konstatuar se dekreti i Presidentit është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Postet:
Mbylle
03/06/2020 13:32

Votohet Qeveria, Avdullah Hoti kryeministër

Kuvendi i Kosovës me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim votoi për Qeverinë Hoti. Të pranishëm në Kuvend ishin 86 deputetë.


03/06/2020 13:07

Haxhi Shala: Pas vizitës nga Thaçi e Haradinaj, vota ime do të jetë pro Qeverisë Hoti

Deputeti i Nisma Socialdemokrate, Haxhi Shala ka bërë të ditur se do të votoj pro Qeverisë Hoti.

Shala ka thënë se ka ndërruar mendje pas vizitës që ka pasur dje nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.


“Para dy dite kam deklaruar se nuk do ta votojë Qeverinë Hoti. Por mbrëmë në vizitën që kam pasur në familjen time nga presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, vota ime do të jetë pro”, ka thënë Shala. /Telegrafi/

03/06/2020 13:03

Pacolli: Me këtë qeveri Kosova po dërgohet drejt një sistemi autoritar ku pyetet vetëm Thaçi

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli ka thënë se Qeveria Hoti është kundër vullnetit të popullit dhe nuk do të ketë mundësi të funksionoj si qeveri.

“Ajo qfarë po tentohet të bëhet në Kuvend është se po tentohet të dërgohet Kosova drejt një sistemi autoritar ku pyetet vetëm një person dhe ai person është Thaçi. Ne nuk marrim pjesë në seancë pasi që këtë qeveri e konsiderojmë ilegale”, ka thënë Pacolli.


03/06/2020 12:58

Veseli: Avdullah Hoti, kopje jo origjinale e mashtrimit Kurti, PDK nuk do ta votojë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha sot se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i mashtruan qytetarët e Kosovës duke iu ofruar shpresë, e në anën tjetër për 100 ditë qeverisje degraduan çdo të arritur të shtetit në 20 vite liri.

Kryetari i PDK-së tha se Albin Kurti po ikë prej vetes, jo prej të tjerëve dhe e ka dëmtuar rëndë Kosovën dhe këtë.


Sipas tij, këtë qytetarët do ta përjetojnë shumë shpejt.

“Dilemat që ka hapur brenda – me nxitjen e urrejtjes dhe dëshirën për revansh, janë minore përballë dilemave që ka hapur me garantuesit e ekzistencës sonë fizike dhe shtetërore,  me miqtë tradicionalë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është një dëm i pallogaritshëm politik që i është bërë vendit nga ideologjia anti-amerikane e Kryeministrit, ashtu si dhe nga sjellja e tij qyqare përballë Serbisë”, u shpreh Veseli.

“Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjell humbjen pa kusht. Kjo po i ndodh edhe sot Albin Kurtit. Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit, i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi”, tha Veseli.

03/06/2020 12:44

Gashi: Qeveria Hoti nuk duhet ta ketë arsyetim krizën ekonomike nëse do të dështoj në qeverisje

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se kishim një qeveri që kishim ndërtuar me shpresë e besim, por si rezultat i gabimeve të qeverisë që po shkon, shpesa humbi.

“Tani çështja është si mund të qeverisim me një qeveri e cila duhet të ndërtojë shpresën. Por qeveria e re mos të shpresojë por të punojë shumë që ta kthej shpresën dhe ta ndërtoj zhvillimin. Duke njohur kandidatin tonë Hoti dhe ministrat e LDK-së them se këtyre nuk ju duhet shumë shpresa duke ditur se secili do të bëjë punën më të mirë në fushën e tij”, ka thënë Gashi.


Gashi ka shtuar kjo qeveri duhet ta ketë të qartë përgjegjësinë që ka, jo vetëm në raport me krizën ekonomike.

03/06/2020 12:37

Mandatari Hoti prezanton kabinetin qeveritar

LDK do të ketë shtatë ministra dhe një zëvendëskryeministër:


Avdullah Hoti -kryeministër

Driton Selmanaj – zëvendëskryeministër;

Hykemete Bajrami – Ministre e Financave;

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes;

Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit;

Agim Veliu- Ministër i Punëve të Brendshme;

Arban Abrashi- Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit;

Armend Zemaj- Ministër i Shëndetësisë;

Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë

Nga radhët e AAK-së janë:

Besnik Tahiri- Zëvendëskryeministër i parë

Meliza Haradinaj- Ministre e Punëve të Jashtme

Selim Selimi- Ministër i Drejtësisë,

Blerim Kuçi- Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit

Ramë Lika- Ministër i Arsimit

Nga radhët e Nismës Socialdemokrate:

Albulena Balaj-Zëvendëskryeministre

Skënder Reçica-Ministër i Punës

Vesel Krasniqi- Ministër i Tregtisë dhe Industrisë

Nga minoritetet:

Goran Rakiq-Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal

Dalibor Jevtic- Ministër i Kthimit dhe Komunitetit

Enis Kervan-Ministër i Zhvillimit Rajonal. /Telegrafi/

03/06/2020 12:19

Një grup i protestuesve tentojnë të futen ne oborrin e Kuvendit të Kosovës

03/06/2020 12:04

Kadriaj: Të gjithë deputetët e AAK-së do ta votojnë Qeverinë Hoti

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj para fillimit të seancës për votimin e Qeverisë Hoti ka thënë se LDK-ja ka më shumë se 63 vota.

“Të gjithë deputetët e AAK-së janë shprehur se do ta votojnë këtë Qeveri”, tha Kadriaj.


“Besoj që qëndrimi i Aleancës është i ditur do të votojnë të gjithë deputetët e kësaj partie, qeveria i ka votat, janë më shumë se 62, apo 63 deputetë që do ta votojnë qeverinë Hoti”, deklaroi ajo.

Më tej, ajo rreth Listës serbe tha “Është kategori kushtetuese edhe Lista Serbe dhe asnjëherë asnjë qeveri nuk është formuar pa Listën Serbe, të gjithë jemi deputet pavarësisht orientimeve politike dhe regjionale…. Nuk e besoj nuk do të varet të gjithë janë deklaruar unanimisht që do ta votojnë dhe sot do ta shihni rezultatin”. /Telegrafi/

03/06/2020 12:01

Hoti: Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi është interes jetik për Kosovën

I mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvend, theksoi se sa i përket dialogut me Serbinë, beson që dialogun në mes të autoriteteve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes këtyre dy vendeve është interes jetik i Kosovës.

“Autoritetet e Kosovës do ta respektojnë në plotëni Kushtetutën e Kosovës gjatë këtyre bisedimeve. Dialogu do të bazohet në objektivat e qarta që duhet të arrihen nga kjo marrëveshja përfundimtare si dhe transparencë e nevojshme që duhet të raportohen gjatë këtij procesi. Marrëveshja gjithëpërfshirëse do të bazohen në njohjen reciproke në mes këtyre dy shteteve, dhe në këtë mënyrë do të sigurohet stabilizimi afatgjatë i Kosovës, anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe në strukturat veri-atlantike perëndimore”, tha Hoti.


Ai po ashtu tha se ky dialog kërkon një bashkërenditje të plotë në mes të institucioneve të vendit dhe në dialog duhet të jenë të gjithë, pozitë e opozitë.

Hoti po ashtu tha se qeveria e vlerëson rolin e BE-së dhe të SHAB-së në këtë proces si të pandashëm, prandaj të dyja duhet të jenë të plotësisht të përfshira si në arritjen e marrëveshjes, ashtu edhe në garantimin e zbatimit të saj.

03/06/2020 11:44

Vetëvendosje bojkoton seancën

Në këtë fillim senace për votimin e Qeverisë Hoti asnjë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk është në sallën e Kuvendit.


03/06/2020 11:42

Hoti: Prioritet do të jetë lufta kundër COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike

Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti më tej para deputetëve të Kuvendit tha se do t’i kenë dy prioritete, luftimin e pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike.

“Nisur nga situata me të cilën po përballemi, Qeveria do të ketë dy prioritete të menjëhershme, lufta kundër COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë”.


Ai tha po ashtu se do të mbrojnë sovranitetin e vendit.

“Kjo qeveri do të mbrojë dhe promovoj sovranitetin e vendit, si një tërësi e pandashme. Ne jemi besimplotë që përbëjmë një komb që mundemi të ndërtojmë një shtet demokratik të denjë për të qenë pjesë e shteteve euroatlantike”, tha Hoti.

03/06/2020 11:38

Hoti në fjalimin para deputetëve falënderon mjekët për punën në luftën me COVID-19

Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti ka filluar fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës duke falënderuar mjekët e punonjësit e tjerë të cilët kanë qenë në vijën e parë të frontit gjatë luftës me pandeminë COVID-19.

“Dëshiroj të filloj fjalën time me një falënderim për stafin mjekësor për punën e palodhshme, zyrtarët policor dhe të tjerët punonjës për punën gjatë kësaj kohe”, tha Hoti.


“I falënderoj deputetët e këtij koalicioni për besimin e dhënë. Ndjej përgjegjësi ndaj deputetëve të këtij koalicioni dhe nga të gjithë të tjerët. Ne veçanti ndjej përgjegjësi ndaj qytetarëve të Kosovës dhe Kushtetutës”, tha Hoti.

03/06/2020 11:33

Fillon seanca e Kuvendit, nuk drejtohet nga Vjosa Osmani

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritet të votohet Qeveria Hoti.

Drejtimin e kësaj seance nuk do ta bëjë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani. Udhëheqjen e kësaj seance do ta bëjë nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala.


03/06/2020 11:29

Qëndroni me Telegrafin për t’u informuar në kohë reale

03/06/2020 11:00

Protestë para Kuvendit, pak minuta para fillimit të seancës për votimin e Qeverisë Hoti

Një grup qytetarësh janë mbledhur para Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa kanë deklaruar se kanë dalë të protestojnë pasi sipas tyre kjo çfarë po ndodh është vjedhje e votës, pasi gjatë fushatës është premtuar diçka tjetër nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kjo protestë thuhet se është organizuar nga vet qytetarët, ku rreth kësaj proteste foli edhe një nga pjesëmarrëset, Flutra Zymi.


03/06/2020 10:55

Deputetët fillojnë të hyjnë në Kuvend

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, tashmë kanë filluar të hyjnë në Kuvend, ku pritet të votohet Qeveria Hoti.

Në Kuvend janë parë të hyjnë deputetët e Nismës Socialdemokrate.


03/06/2020 10:45

Fjalët e Kurtit para seancës së Kuvendit për votimin e Qeverisë Hoti

“Shumë mirë. Në ora 10:00 kemi një mbledhje të qeverisë ku do të marrim disa vendime  të rëndësishme. Vendimi i parë që do ta nënshkruaj tash menjëherë është ai për ndihmën nga 30,000 euro dy familjeve të minatorëve që humbën jetën fatkeqësisht në Minierën e Artanës”, ka thënë Kurti.

03/06/2020 10:43

Rugova: I kemi numrat, sot votohet Qeveria Hoti

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Haki Rugova është shprehur i bindur se sot në Kuvendin e Kosovës do të votohet Qeveria Hoti, deklarata e plotë e Rugovës.

03/06/2020 10:41

PDK-ja nuk do ta votojë Qeverinë Hoti

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se deputetët e PDK-së nuk do ta përkrahin Qeverinë Hoti.


“Deklaratat e Partisë Demokratike të Kosovës kanë qenë të qarta gjithmonë, kanë qenë konsistente. Ne prej fillimit e kemi deklaruar rolin tonë që do të jemi në opozitë edhe e kemi deklaruar që nuk do ta përkrahim Qeverinë e cila do të votohet”, tha Hamza për Telegrafin.

03/06/2020 10:31

Nëse Qeveria Hoti merr votat në Kuvend, LDK bëhet me tre deputetë të rinj

LDK publikoi emrat e kandidatëve për ministra në Qeverinë Hoti dhe kështu në vendet e Driton Selmanajt, Arban Abrashit dhe Armend Zemajt në Kuvendin e Kosovës do ta vijnë tre kandidatët e LDK-së për deputetë që pasojnë në listën zgjedhore në bazë të numrit të votave.

Këta kandidatë janë: Visar Hoti, Ismet Beqiri dhe Faton Bislimi.


Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Kalo në kategori