LAJMI I FUNDIT:

Gjithçka që ndodhi në ditën e seancës së Kuvendit për formimin e Qeverisë Kurti

Gjithçka që ndodhi në ditën e seancës së Kuvendit për formimin e Qeverisë Kurti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për Qeverinë Kurti, që ka dy zëvendëskryeministra, 15 ministra dhe 33 zëvendësministra.

Një ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, pas më shumë se dy muajsh nga certifikimi i rezultateve.

Sipas kësaj marrëveshje LVV do ta ketë pozitën e kryeministrit dhe gjashtë ministri dhe zëvendëskryeministrin e dytë, ndërkaq LDK do të ketë pozitën e kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe gjashtë ministri. Minoritetet do të kenë tri ministri. Për pozitën e presidentit do të diskutohet në kohën kur pritet zgjedhja e presidentit.

Telegrafi do t’ju mbajë të informuar për çdo gjë në kohë reale:

Postet:
Mbylle
03/02/2020 19:55

Fjalët e para të Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës

03/02/2020 18:05

Kuvendi votoi Qeverinë Kurti, këta janë ministrat e LVV-LDK-së

Qeveria Kurti e votuar tashmë në Kuvendin e Kosovës ka dy zëvendëskryeministra, 15 ministra dhe 33 zëvendësministra.

Vetëvendosje do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Drejtësisë, të Financave, të Ekonomisë, të Shëndetësisë dhe atë të Integrimeve Evropiane.

Kuvendi i Kosovës me 86 vota për dhe 10 abstenime e votoi Qeverinë e Re të Republikës të udhëhequr nga Albin Kurti.

Haki Abazi– Zëvendëskryeministër i dytë

Glauk Konjufca– Ministria e Punëve të Jashtme

Albulena Haxhiu– Ministria e Drejtësisë

Besnik Bislimi– Ministria e Financave

Rozeta Hajdari– Ministria e Ekonomisë

Arben Vitia– Ministria e Shëndetësisë

Blerim Reka– Ministria e Integrimeve Evropiane

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheqë me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Mbrojtjes, Arsimit, Kulturës dhe të Bujqësisë.

Emrat e LDK-së për postet qeveritare janë:

Avdullah Hoti – Zv. kryeministër i parë

Lumir Abdixhiku – Ministër i Infrastrukturës

Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes

Hikmete Bajrami – Ministre e Arsimit

Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës

Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë

Ndërsa, ministre nga radhët e minoriteteve jo serbe është Emilia Rexhepi që do të udhëheq Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ndërsa nga minoritetet serbe janë Dalibor Jevtiq që do të udhëheq Ministrinë e Kthimit dhe Ivan Milojeviq që do të udhëheqë Ministrinë për Zhvillim Rajonal.

03/02/2020 17:38

Reçica: LVV dhe LDK nuk e kanë për qëllim qeverisjen e shtetit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka kritikuar mandatarin Albin Kurtin. 

Në fjalimin e tij në seancën ku pritet të votohet Qeveria Kurti, ai ka thënë se Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij qysh në fillim janë lodhur nga marrja e përgjegjësive.

“Albin shpejtë keni nis me u lodhë, se të ikën ushtarët. Kandidati për kryeministër Albin Kurti, në ekspozenë 20 minutëshe tha diçka që s’e kemi dëgjuar më parë. Kujt t’i besojmë Albin Kurtit që foli këtu, apo Albin Kurtit që ka vepruar për 10 vjet këtu. Kjo është shumë me rëndësi jo për hirë të qeverisë, jo për hir të Albin Kurtit, por për hir të së ardhmës. VV dhe LDK, pas 6 tetorit kanë zhagitur “, ka deklaruar Reçica.

Ai ka pohuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e kanë për qëllim qeverisjen por gllabërimin e shtetit.

03/02/2020 17:10

Marrëveshja për bashkëqeverisje LVV-LDK, për presidentin do të merren vesh dy liderët me një akt të veçantë (Dokument)

Në dokumentin e marrëveshjes janë të përfshira pikat programore për fushën e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, kulturës, drejtësisë etj. DOKUMENTI I PLOTË 

03/02/2020 17:10

Kuçi: Nëse Albin Kurti nuk e bën bashkimin kombëtar, njerëzit do ta humbin besimin e tij

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se nëse Albin Kurti nuk e bën bashkimin kombëtar sa është kryeministër, njerëzit do ta humbin besimin e tij.

Në seancën plenare për votimin e Qeverisë së re, Hajredin Kuçi u shpreh kritikues ndaj Kurtit duke e akuzuar për mashtrim karshi qytetarëve.

03/02/2020 16:58

Balje: Ende nuk kemi vendosur a do të votojmë Qeverinë Kurti

Derisa seanca plenare për votimin e qeverisë së re po vazhdon, deputetja e komunitetit boshnjak Duda Balje deklaroi se akoma nuk janë dakorduar se a do ta votojnë koalicionin LVV-LDK.

Balje tha se, kanë biseduar me grupet punuese të koalicionit dhe shpreson që shumë shpejt, do të vendosin se a do të votojnë pro apo kundër qeverisë së re.

“Ne 3 deputet të cilët nuk jemi në grupin parlamentar 6+ deri vonë kemi biseduar dhe shpresoj që shumë shpejt do të marrim vendim… Kemi biseduar me Vetëvendosjen para disa orëve edhe me LDK-në tash duhet me marr vendim, jemi shumë afër”, deklaroi Balje.

03/02/2020 16:23

Tahiri, Kurtit: Po mashtron masën me premtime

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka adresuar akuza ndaj kandidatit për kryeministër, Albin Kurti për të cilin tha se është një mashtrues që iu ka paraqitur popullit me premtime boshe.

Pas rifillimit të seancës plenare ku pritët të votohet Qeveria e re, ish ministri tha se koalicioni LVV-LDK është i pazareve dhe i territ.

03/02/2020 16:00

Vazhdon seanca, pritet votimi i Qeverisë Kurti

Pas pauzës një orëshe, deputetët e legjislaturës së shtatë janë rikthyer në sallë ku pritet votimi i Qeverisë.

Ndërkohë janë duke vazhduar ende diskutimet e deputetëve, ndërkaq pas përfundimit të këtyre diskutimeve do të hedhet për votim kabineti qeveritar.

Mandatari Kurti ka propozuar para deputetëve kabinetin e tij qeveritar, transmeton Telegrafi.

03/02/2020 14:59

Kuvendi shkon në pauzë

Me kërkesë të shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë prej një orëshe.

Ndryshe ende nuk është hedhur në votim kabineti qeveritar i propozuar nga mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti.

03/02/2020 14:56

Deputetëve u shpërndahet programi qeverisës

Administrata e Kuvendit të Kosovës ka shpërndarë për gjithë deputetët programin qeverisës.

Ndryshe, Kurti para deputetëve, ka paraqitur kabinetin e tij qeveritar me 15 ministri

03/02/2020 14:35

Pacolli: Unë do ta votoj Kurtin për kryeministër

​Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se partia e tij do të jete konstruktive në këtë legjislaturë, dhe se do të jenë të pranishëm për të votuar gjithçka që është në të mirë të Kosovës.

Ai konfirmoi se do të qëndrojë në opozitë këtë mandat.

“Unë dhe njerëzit e mi asnjëherë nuk do ta lëshojmë sallën, kur votohet diçka e rëndësishme, ne do të jemi këtu. Unë do t’ju votoj juve. Ta shohim nga ardhmja, mos të kthehemi në të shkuarën. Jam dhe do të mbetëm pjesë e opozitës. Çdo pikë e programit tuaj do analizohet nga unë, do t’iu përballë me dështimet tuaja, nëse ato janë të arsyeshme. Kam qenë do të mbetëm konstruktiv dhe derisa të kryhet shtet ndërtimi i Kosovës do të mbetëm ashtu. Puna e mbarë ju qoftë”, theksoi Pacolli.

03/02/2020 14:07

Krasniqi: LVV-LDK koalicion i pazareve të pista, ëndrra e juaj është makthi i Kosovës

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, tha para deputetëve se koalicioni LVV-LDK është i pazareve të pista që synon ta bëjë kryeministër Albin Kurtin, I cili siç tha Krasniqi, krejt karrierën e vet politike e ka ndërtuar me mashtrime, manipulime dhe dhunë.

“Ai i sakrifikoi ata edhe kur i nxori në rrugë duke i gënjyer se Kosova kurrë s’do të bëhet shtet, por edhe kur i nxiste për të sulmuar institucionet e shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Sot, pak më butë, i sakrifikon për t’u bërë Kryeministër, si puna e njeriut më të afërt të tij, Kurban Konjufcës. Sepse, për Albin Kurtin, asnjë çmim nuk është i lartë, nëse atij ia mundëson kapjen e pushtetit, për të cilin ka ëndërruar e ka vepruar me metodat më të pista tash e gati 15 vjet”, tha Krasniqi.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi tha se ironia e madhe këtu është se paterica e Albin Kurtit që po e bën atë kryeministër sot është një parti (LDK) të cilën ai vet e luftoi në të gjitha mënyrat e mundshme.

Ai tha se koalicioni VV-LDK është i panatyrshëm i një partie të ekstremit të majtë me një parti që e quan vetën të qendrës së djathtë.

“Sot, juve vërtetë ju erdh dita, por Kosovës i erdhi nata. Sepse dita e juaj është nata e Kosovës. Drita e juaj është terri i Kosovës. Ëndrra e juaj është makthi i Kosovës. Ju do ta kapni pushtetin prej sot, por dijeni se në asnjë minut nuk do të jeni të qetë që të veproni pa dhënë llogari për çdo veprim tuajin. Opozita e këtij mandati do të jetë jo vetëm kontrolluesi, por edhe korrektuesi i juaj. Zoti e bekoftë Kosovën tonë dhe qytetarët e saj e për hajr na qoftë kjo dasmë”, tha Krasniqi.

03/02/2020 13:55

Deputetët diskutojnë në seancë, kritikojnë Kurtin se mashtroi qytetarët

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po debatojnë në seancën plenare ku pritet të votohet Qeveria Kurti.

Deputetët po kritikojnë Kurtin, duke thënë se mashtroi qytetarët.

Disa nga deputetët theksuan se Kurti duhet të kërkojë falje për të bëmat sa ishte opozitarë. Po ashtu theksuan se Kurti nuk e ndjen Kosovën, qeverinë e së cilës pretendon ta udhëheqë.

 

03/02/2020 13:16

Limaj: Kurti duhet ta ulë kokën dhe të fillojë të sillet si kryeministër i Kosovës

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se Albin Kurti duhet të fillojë të punojë si kryeministër i Kosovës.

“Sot është dita e parë e fillimit të funksionimit të institucioneve. Do të kemi kohë të mjaftueshme që secili ti mbrojmë qëllimet e veta”, ka thënë Limaj.

Limaj ka parashtruar disa sugjerime për kandidatin për kryeministër Albin Kurti.

“Disa sugjerime, kemi me pas kohë të mjaftueshme me kritiku, mu pajtu e mos mu pajtu. Albin Kurti duhet me ulë kokën, edhe me nis mu sjell si kryeministër i Kosovës, me ulë kokën edhe me nis me punu me ndrru traken e opozitarizmit, me punu si kryeministër i këtij vendi”, tha Limaj.

Ai shtoi se do ta duartrokasë çdo punë të mirë që do të bëhet për vendin.

03/02/2020 13:13

Demaliaj, Kurtit: Nëse e ke pas veç për pushtet, dil dhe pranoje

Shkumbin Demaliaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se nuk do ta votojnë Qeverinë Kurti.

Demaliaj ka përmendur disa nga premtimet e Kurtit dhe deklaratat e tij të dhëna gjatë karrierës.

“Albin ke rrejt. Kam me ta lexu një poezi në krejt legjislaturën. E pashë kabinetin, asnjë ministër nga Dukagjini as nga Drenica. Mos harro Kosova nuk është kaq e vogël. Nuk dua të ndërhyj në atë çka tha z.Veseli. Jemi kanë në një protestë bashkë, kur udhëheqke Isa Mustafa me PDK-në, kur ka qenë koha që krejt sheshi ka qenë duke thirrur “Isë, argat i Serbisë”. Nëse e ke pas veç për pushtet mundesh me dal e me pranu. Është një pjesë qysh u bashkove me listën e çetnikëve, qysh Albin u bane bashkë me ta. 1 milionë here ju kam thanë bre që është kushtetuese”,  u shpreh Demaliaj.

“Albin nuk e votojmë Qeverinë”, tha Demaliaj.

03/02/2020 12:57

Veseli: Koalicioni VV-LDK do jetë koalicion i pazareve, Albin Kurti nuk e njeh e as nuk e ndjen Republikën e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij para deputeteve në seancën për zgjedhjen e Qeverisë, ka thënë se sot po synon të bëhet kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, i cili as nuk e njeh e as nuk e ndjen Republikën e Kosovës si shtet, prandaj sipas tij, Kurti nuk mendon as të jetojë në Kosovë.

03/02/2020 12:52

Kurti tregon se kush do të jetë në krye të ministrive

Glauk Konjufca (Ministria e Punëve të Jashtme), Albulena Haxhiu (Ministria e Drejtësisë), Besnik Bislimi (Ministria e Financave), Rozeta Hajdari (Ministria e Ekonomisë), Arben Vitia (Ministria e Shëndetësisë), Blerim Reka (Ministria e Integrimeve Evropiane), Lumir Abdixhiku (Ministër i Infrastrukturës), Agim Veliu (Ministër i Punëve të Brendshme), Anton Quni (Ministër i Mbrojtjes), Hikmete Bajrami (Ministre e Arsimit), Vlora Dumoshi (Ministre e Kulturës), Besian Mustafa (Ministër i Bujqësisë).

Ndërsa, ministre nga radhët e minoriteteve jo serbe është Emilia Rexhepi që do të udhëheq Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ndërsa nga minoritetet serbe janë Dalibor Jevtiq që do të udhëheq Ministrinë e Kthimit dhe Ivan Milojeviq që do të udhëheqë Ministrinë për Zhvillim Rajonal.

03/02/2020 12:46

Kinolli: Do të jemi pjesë e Qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar 6+ Albert Kinolli, tha se do të jenë pjesë e Qeverisë, dhe do ta votojnë natyrisht edhe Qeverinë.

“Gjithnjë deri më tani kemi qenë pjesë e Qeverisë duke luajtur rol konstruktiv, si grup parlamentar 6+ do të jemi pjesë e Qeverisë në ardhje, me bindje të thellë dhe besim të madh që kërkesat e nevojat ton. Ne do t’i japim përkrahjen kësaj Qeverie”, tha Kinolli

03/02/2020 12:42

Shala: Qeveria Kurti, simbol i hipokrizisë politike

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, tha se pret shumë nga qeveria e Albin Kurtin duke e quajtur këtë të fundit si simbol të hipokrizisë politike.

Ai ia përmendi kryeministrit në ardhje disa nga deklaratat e tij nga viti 2004, e deri më tani, përfshirë edhe bashkëpunimin me Listën Serbe, Gjykatën Speciale e Tarifën 100 %.

Po ashtu, i përmendi edhe numrin e ministrive i cili nga 12, u rrit në 15, duke thënë se kjo qeveri do të jetë afat-shkurt.

“Kosovën e presin sfida, edhe pse e vonuar është e mirëseardhur pas një seriali të gjatë. Të paktën tash qytetarët nuk do të jenë të detyruar të dëgjojnë ofendimet e juaja të bërë për njëri-tjetrin. Nëse do të mbaheni mend për diçka do të jetë për kohën e shkurt në dakordim të programit, e kohën e gjatë për ndarjen e posteve. Mandatari për kryeministër ndryshe ka thënë, ndryshe ka menduar, e ndryshe ka vepruar”, tha Shala.

“Do t’i gëzohemi secilit vendim të mirë të kësaj Qeverie, ne si opozitar do të luajmë rolin konstruktiv, por edhe do të kërkojmë llogari”, u shpreh Shala.

03/02/2020 12:37

AAK nuk përkrah Qeverinë Kurti, Haxhiu e Nagavci debatojnë për dorëheqjen e Konjufcës

Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Teuta Haxhiu nuk e ka përkrahur Qeverinë Kurti, duke ia përmendur premtimet dhe fjalët që i tha para arritjes së marrëveshjes së koalicionit kryeministrit në ardhje, Albin Kurtit dhe disa prej deputetëve.

Në disa raste, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci e cila po udhëheq seancën ia tërhoqi vëmendjen Haxhiut të mos dilte nga tema, por të koncentrohej në ekspozenë e Kurtit.

Por, Haxhiu ka vijuar me fjalën e saj duke thënë se Kurti e bëri kurban Konjufcën ashtu siç e bëri Isa Mustafa nënkryetaren e saj Vjosa Osmani.

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Elfije Boletini
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Lajme
Kalo në kategori