LIVE: Kurti dhe Abdixhiku në takim në Kuvend - a do të ketë dakordim për presidentin?

- 02/03/2026 14:26- Kurti para takimit me Abdixhikun: Gjithçka për presidentin merret vesh për pak ditë
- 02/03/2026 14:13- Nis takimi Kurti–Abdixhiku në Kuvend, në fokus çështja e presidentit
- 02/03/2026 13:23- Zgjedhja e presidentit, Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga qëndrimet bllokuese
- 02/03/2026 13:01- Kërkohen 80 vota, Kurti sot takohet me Abdixhikun për çështjen e presidentit
- 02/03/2026 12:59- Presidenti i ri, Kurti: Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur në momentin e duhur
Kosova ka hyrë në ditët kyçe të procesit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, teksa afati i fundit 5 marsi po afrohet pa një marrëveshje politike deri më tani për emrin që do të marrë postin e kreut të shtetit.
Takimet ndërmjet liderëve politikë, duke përfshirë kryeministrin Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë dështuar të sigurojnë konsensus, ndërsa palët vazhdojnë të debatojnë nëse do të ketë propozime konsensuale apo kandidat të veçantë nga secila parti.
Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill, por Kuvendi duhet të votojë për presidentin për mandatin e ri më së largu deri më 5 mars.
Presidentja e ka bërë të ditur synimin për një mandat shtesë, mirëpo votat e nevojshme duket se nuk i ka.
Në mungesë të një emri të dakorduar deri në afatin kushtetues, sipas Kushtetutës dhe procedurave parlamentare, vendi rrezikon të hyjë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Telegrafi gjatë këtyre ditëve do të vazhdoj të ju mbajë të informuar për cdo zhvillim sa i përket këtij procesi.
02/03/2026 14:26- Kurti para takimit me Abdixhikun: Gjithçka për presidentin merret vesh për pak ditë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se po vazhdojnë përpjekjet për të përmbyllur me sukses sfidën e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar nevojën për një kandidat që siguron 80 vota në Kuvend.
“Po i vazhdojmë përpjekjet për të përmbyllur me sukses edhe sfidën e zgjedhjes së presidentit. Na duhet kandidati apo kandidatja që siguron 80 vota në sallë. Pas takimit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, po takohemi edhe me kryetarin e LDK-së. Gjithçka do të merret vesh, brendapak ditësh” tha Kurti.
Ky do të jetë takimi i dytë për këtë temë, pasi Kurti dhe lideri i LDK-së u takuan edhe javën e kaluar për të diskutuar gjetjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.
02/03/2026 14:13- Nis takimi Kurti–Abdixhiku në Kuvend, në fokus çështja e presidentit

Ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, në ambientet e Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Të dy liderët kanë arritur tashmë në ndërtesën e Kuvendit, ku pritet të diskutojnë për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në raundet e para të votimit, çka e bën të domosdoshëm një konsensus më të gjerë politik.
Ky takim vjen në kuadër të përpjekjeve për të tejkaluar situatën aktuale politike dhe për të siguruar votat e nevojshme para afatit kushtetues. Më herët, Kurti ka deklaruar se, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, ka nisur takimet me subjektet parlamentare për të arritur një marrëveshje.
Ende nuk dihet nëse nga ky takim do të dalë një emër konkret apo një dakordim për hapat e mëtejmë në procesin e zgjedhjes së presidentit.
02/03/2026 13:23- Zgjedhja e presidentit, Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga qëndrimet bllokuese

Pa u zyrtarizuar kandidatët për president nuk mund të thirret seanca për zgjedhjen e të parit të vendit, tha kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Derisa kanë mbetur edhe dy ditë afat për zgjedhjen e presidentit, Haxhiu tha se deri tani nuk ka asnjë kandidat me tridhjetë nënshkrime të deputetëve, raporton KosovaPress.
Ajo, derisa u pyet se a do ta mbështesin Vjosa Osmanin për një mandat të dytë, tha se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së një ditë më parë ka pasur diskutime për presidentin, por nuk janë përmendur emra.
02/03/2026 13:01- Kërkohen 80 vota, Kurti sot takohet me Abdixhikun për çështjen e presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sot me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Ende nuk janë bërë të ditura ora dhe vendi i takimit. Takimet e fundit të Kurtit me liderët e partive parlamentare janë zhvilluar në ambientet e Kuvendi i Kosovës.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka deklaruar se për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion për zgjedhjen e presidentit, ka nisur menjëherë angazhimet për tejkalimin e situatës, duke filluar takimet me subjektet politike parlamentare.
02/03/2026 12:59- Presidenti i ri, Kurti: Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur në momentin e duhur

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se kjo mbetet çështja e fundit për t’u përmbyllur pas formimit të qeverisë.
Kurti deklaroi se për të qeverisur “mirë dhe mbarë”, vendit i ka mbetur edhe zgjedhja e presidentit, proces i cili kërkon së paku 80 vota në Kuvend.
Kurti theksoi se një figurë e tillë do të mund të vinte nga familja Jashari, duke përmendur emrin e Murat Jashari si kandidat potencial.
“Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë si Murat Jashari do të gëzonte mbështetje partiake, nder për republikën dhe siguri për kombin. Rrethanat gjeopolitike kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë që i bën ballë shtërngatave të tilla. Edhe sot zgjedhja e një figure si Murat Jashari do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur”, deklaroi Kurti.
Lajmi i plotë KËTU.



































