Litarin në dorë dhe… kërceni!”

Kur keni më së paku kohë në dispozicion për ushtrime, mund të merrni vetëm një litar dhe të stërviteni kudo.


Kërcimi me litar është një nga kardio-ushtrimet më efikase për djegien e kalorive dhe forcimin e trupit. Vetëm 10 minuta kërcim me litar janë pothuajse sa 30 minuta vrapim në park dhe kjo është arsyeja pse boksierët dhe atletët profesionistë e kanë pjesë të pandashme të stërvitjes së tyre.

Me kërcimin me litar mund të digjni nga 800 deri në 1300 kalori për orë, duke angazhuar pothuajse të gjithë trupin: krahët, shpatullat, shputat, këmbët, shpinën dhe muskujt e barkut. Gilcat (nyjat) punojnë si amortizatorë natyralë, duke zbutur goditjet dhe ulur rrezikun e lëndimeve, nëse kërceni mbi një sipërfaqe të përshtatshme (të butë, jo beton).

Përfitimet nuk ndalen me kaq: kërcimi me litar përmirëson koordinimin, ekuilibrin dhe ritmin, forcon sistemin kardiovaskular, përmirëson qarkullimin e gjakut dhe rrit qëndrueshmërinë. Për më tepër, mund të kërceni si në ambient të hapur ashtu edhe në shtëpi, madje pa pasur nevojë për pajisje shtesë, transmeton Telegrafi.

Si të filloni?

Filloni lehtë: Bëni 15 kërcime në ditë dhe shtoni gradualisht numrin. Për shembull, çdo javë shtoni nga 10 kërcime derisa të ndiheni më të fortë.
Pauza të shkurtra: Kërceni për një minutë, pushoni disa sekonda dhe vazhdoni sërish.
Pozicioni i trupit: Qëndroni drejt, shikoni para dhe mbani barkun të shtrënguar.
Kërcimi: Nuk keni nevojë të kërceni shumë lart – mjafton lartësia që litari të kalojë nën shputat, rreth 5 cm.
Ritmi: Përqendrohuni në ritëm dhe frymëmarrje të qetë.

Kujdes!

Kërcimi me litar nuk rekomandohet për ata që kanë probleme me kurrizin apo gjunjët. Po ashtu, këshillohet të zgjidhni këpucë sportive me amortizim të mirë.

Vetëm pak minuta në ditë mund të përmirësojnë gjendjen fizike, të djegin kaloritë dhe t’ju japin energji për gjithë ditën.

Merrni litarin dhe provoni! /Telegrafi/