LAJMI I FUNDIT:

Liria 1.7

Liria 1.7
Hazir Reka dhe Halil Matoshi më 1990

Nga: Halil Matoshi

Hazir Reka, njeriu ma besnik i kujtesës së Kosovës, si imazh …

1.


Nji nga artet ma t’hershme të njohtuna si “Arti i Shpellës” zakonisht përshkruante kafshë, por përfshinte gjithashtu njerëz, armë dhe simbole.

Pra, viza ishte në fillim.

Imazhi.

Hazir Reka me armën e tij, nji fotoaparat të Nikon-it, dhe imazhin e thadruem në celuloid, ka dalun i fituem mbi epokën e errët të fashizmit të Sllobodan Milosheviqit. Reka dëshmoi për historinë e vendit të tij dhe bashkë me dëshmitë e dëshmorët edhe vet mori pjesë në shkrimin e saj.

Imazhi e Maestro Rekës âsht rëndom viktima të cilin hala s’e ka braktisë shpresa!

2.

Ajo që Andrei Tarkovsky e thojke për kinemotigrafinë, vlen edhe për fotografinë, e cila nuk i mëson asgjâ njerëzimit, sepse ky i fundit të paktën në katër mijë vjetët e fundit e ka dëshmu mjaftueshëm, se s’mundet me mësu gjâ. “Imazhi âsht fotografia e së vërtetës, fotografia e nji shkëndije të vogël të asaj që mbërrijmë me e kap, teksa shkëputemi nga verbnia”.

3.

Si fotoreporter i “Zërit” të Prishtinës dhe shtypit liberal në ish Jugosllavi (Danas, Start, Mladina …) pastaj i agjencisë botnore të lajmeve “Reuters”, Reka ishte zâni i kosovarëve jashtë kufijve, në ditët më të randa për shqiptarët e Kosovës.

Ai i ruejti si të pakohshme momentet “skulpturale” të demonstratave, protestave për liri dhe pavarësi, porse edhe imazhin e thyem të luftës e përpjekjeve të popullit të tij për me u shque ndër kombet e gjalla …

Fotografitë e Maestro Rekës janë arkiva më e pasun e Kosovës.

“MuralFest Kosova” në qytetin e tij të lindjës, Ferizaj, në bashkëpunim me artistin amerikan Nils Westergard i ka bâ Hazir Rekës monumentin ma kuptimplotë, si shenjë respekti ndaj tij, imazhistit që vet u kthy në imazh. Edicioni i fundit solli murale, shumë nga të cilët ishin fillimisht fotografi të shkrepuna gjatë luftës në Kosovë, nga Maestro Hazir Reka.

4.

“Ky asht ai, njeriu qe gjithmonë ka arrit në ngjarje me pesë minuta vonesë” – thoshte miku ynë i perbashket, gazetari i “Mladina”-s Ervin Hladnik-Milharçiq – porse, në tablotë e Rekës imazhi âsht plot tension, në të lexohen shtresëzimet e dhunës dhe mizorisë, por ajo nuk shfaqet katërcipërisht e zhveshun.

Dhuna shfaqet në tablon e Rekës e “gravueme” si metaforë, simas shpjegimit të Paul Ricoeurit, “me pa sikur …” dhe me e mujtë frikën nga deka.

5.

Nga ato vite të stuhishme por që kishin emnues të përbashkët rezistencën, tue ia përball shkelësit të lirisë sonë, fashizmit serb, të vërtetën – kemi humbë rininë në rrugët dhe sheshet e qyteteve e fshatnave të Kosovës – dhe nga kjo “humbje” sot kemi vetëm disa fotografi dhe besimin se ia ka vlejtë!?

Kemi shpëtue nga harresa.

Fotografinë, Roland Barthes e ndërlidh më ndërmjetësin vetanak, Theatrin dhe me frikën nga vdekja.

“Fotografia më duket ma e afërt me Teatrin, kjo përmes një ndërmjetësi singular (dhe ndoshta unë jam i vetmi që e shoh kështu): përmes Dekës.

E dimë relacionin e hershëm të teatrit dhe kultit të të dekunit: aktorët e parë e veçonin veten nga komuniteti, tue luejtun rolin e të dekunit; grimi përdorej për me e paraqitë veten si një trup të gjallë dhe të dekun njëkohësisht. Busti i zbardhuet i teatrit totemik, burri me fytyrë të ngjyrosun në teatrin kinez, grimi me qullë orizi në teatrin indian Katha-Kali, maska Nô në atë japonez … Tanimë, të njâjtin relacion e shoh në fotografi; sado të mundohemi me e bâ “si të gjallë” (dhe kjo mani që të jetë “si e gjallë” mund të jetë vetëm mohimi ynë mitik i frikës nga deka), fotografia âsht një lloj teatri primitiv, një lloj Tableau Vivant, një figuracion i fytyrës së palëvizshme dhe me grim nën të cilën shohim të dekunit. (Marrun nga Roland Barthes, “Camera Lucida – Reflections on Photography)

6.

Udhëtuem së bashku përgjatë 35-vjetëve n’gazetari, që nga “bota e re”, tuebâmun përpjekje t’pandalshme deri në liri, nepër protesta e demostrata, ndër vorrime martirësh e kuvenime ndër ligje e oda, tue i dhânë Kosovës emën e identitet, me fjalë, trup e shpirt, tue investu këto atribute në fotografi e fjalë.

Tue i dhânë ma shumë zâ, ma shumë imazh.

Në fillim ishte viza. Masanej imazhi.

Fjala vjen e mbrama.

Kjo âsht udha që ka bâ Hazir Reka dhe Atdheu e njerëzit e tij, deri në liri.

Falemnerës Maestro!

P.S. Këtij shkrimi po ia bashjangjes konceptin e muralit sipas vet autorit Nils Westergard: “Hazir Reka ishte një nga fotoreporterët e paktë vendas që mbuloi luftën në Kosovë dhe ngjarjet para saj. Fotografitë e tij fiksuen në nji mënyrë tragjikisht të bukur dhe në nji nivel jashtëzakonisht njerëzor ndikimin që pati konflikti mbi kombin e tij. Ndërsa përfundimisht pjesa tjetër e Evropës dhe SHBA dërguan fotografët e tyne atje, Reka po fotografonte bashkëqytetarët e tij – duke xhiru për Reuters. Disa nga muralet më të fuqishme në Ferizaj bazohen në imazhet që ai ka bërë gjatë kësaj kohe; duke parë këtë, më magjepsi vetë ai. Ai ishte mikpritës, më la në shtëpinë e tij dhe më tregoi disa nga fotot që bâni gjatë 25 viteve të fundit. Këto ditë ai po lokalizon disa nga subjektet e atyne fotografive të vjetra dhe po i fotografon rishtas, duke i dhânë nji tërësi fytyrave që më parë ishin parë veçmas në tragjedi. Fotoja që ai bâni atë mëngjes ishte thjesht e gjetheve në kopsht! Kamera me të cilën ai shfaqet në mural, âsht përdor gjatë luftës, veçanërisht gjatë masakrës së Reçakut dhe sulmit në Prekaz, të cilat ishin ngjarjet e para që tërhoqën vëmendje të konsiderueshme nga perëndimi në rajon. Ai ma bâni nji foto me të njâjtin aparat fotografik, pasi kisha përfundu muralin. Ngjyra blu, e bardha dhe e arta, âsht nji shenjë e flamurit të Kosovës, si dhe nji theks i përshtatshëm në mjetin me të cilin Haziri ka ndërtuar jetën e tij.”