Duke filluar nga 1 qershori, kompanitë e mëdha në Kosovë duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike. Derisa rregullatorët e cilësojnë këtë si hap drejt liberalizimit të tregut të energjisë, drejtuesit e bizneseve paralajmërojnë për rritje të kostove dhe paqëndrueshmëri ekonomike.
Me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
Si pjesë e Ligjit për energjinë elektrike, kjo masë nënkupton që bizneset duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre me energji elektrike.
Përfaqësuesit e tyre, por edhe afaristët paralajmërojnë se ky tranzicion, mund të shkaktojë çrregullime ekonomike dhe rritje të çmimeve të produkteve.
“Në momentin që neve na qesin nga furnizimi i rregullt në furnizim të parregulluar, unë besoj se rryma do të jetë mbi 70 për qind më shtrenjtë se aktualisht”, thotë Alajdin Fusha, përfaqësues i kompanisë “ABI SHPK”.
Kjo kompani, me bazë në Prizren, ka nën ombrellën e vet 13 kompani të ndryshme, që ofrojnë produkte ushqimore dhe shërbime të tjera, dhe punëson rreth 600 punëtorë.
Aktualisht, ajo paguan mbi 65 mijë euro në vit për faturat e energjisë së shpenzuar. Kostoja i është përgjysmuar që nga viti 2021, për shkak të investimeve në panele diellore.
Fusha thotë se me liberalizimin e tregut të energjisë, çmimi për kilovat nuk mund të pritet nën 15 centë, nga rreth 7 centë sa paguan kompania tash për tash.
Kjo, sipas tij, me doemos do të reflektojë edhe në koston e produkteve dhe shërbimeve.
Ku mund të furnizohen kompanitë me rrymë?
Sipas ZRRE-së, konsumatorët që dalin në tregun e liberalizuar të energjisë, mund të furnizohen nga çdo kompani vendore që posedon licencë ose nga kompani të huaja.
Operatori për Furnizim me Energji – KESCO është furnizuesi kryesor i licencuar për energji elektrike në Kosovë.
Çmimin e produkteve të tij e përcakton ZRRE-ja.
Sipas ZRRE-së, në Kosovë janë të licencuara edhe 18 kompani të tjera.
“Ato mund të kryejnë aktivitetin e furnizimit dhe tregtimit me shumicë të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e këtij rregullatori për Radion Evropa e Lirë, por nuk specifikohet më shumë rreth tyre.
KESCO, në një njoftim të publikuar më 5 mars, bëri të ditur se me kërkesë të ZRRE-së, kompanitë komerciale me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të duhet të zgjedhin furnizuesin me rrymë brenda 15 ditësh, pasi, nga data 1 qershor, nuk do të jenë më në listën e konsumatorëve me tarifa të rregulluara.
Ato do të kalojnë në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.
“Pasoja për bizneset”
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, thotë se ky ndryshim në furnizim, do të ketë pasoja të rënda për bizneset e mëdha, të cilat janë kryesisht prodhuese.
Sipas tij, çmimi i rrymës as tash nuk është i lirë.
“Dhe, shtrenjtimi i radhës do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendor. Gjithashtu, mund ta dëmtojë edhe konkurrueshmërinë e tyre në tregun ndërkombëtar”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Në Kosovë, bizneset aktive sipas numrit të punëtoreve ndahen në mikro, që kanë të punësuar nga 1 deri në 9 punëtorë; të vogla me nga 10 deri në 49 punëtorë; të mesme me nga 50 deri në 249 punëtorë dhe të mëdha me mbi 250 punëtorë.
Numri i dy kategorive të fundit arrin në rreth 17.300, sipas OEK-ut.
Rafuna thotë se OEK-u është interesuar për kompanitë tjera që përmend ZRRE-ja për furnizim, por, sipas tij, ato nuk funksionojnë si furnizues të rregullt.
“Institucionet nuk kanë krijuar kushte për një treg të hapur dhe konkurrues. Bizneset detyrohen të dalin në tregun e lirë, por pa pasur mundësi të negociojnë për një çmim më të lirë dhe energji më cilësore. Kjo mund të krijojë monopol nga KESCO-ja, e cila do t’i diktojë çmimet”, thotë Rafuna.
Ngjashëm shprehet edhe afaristi Fusha.
“Pas njoftimit të KESCO-s, jam interesuar për këtë çështje, por nuk ka kompani tjera që garantojnë ofertë të qëndrueshme. Në fund, sërish do të furnizohemi nga KESCO-ja, por me çmime shumë më të larta”, sipas tij.
Radio Evropa e Lirë pyeti KESCO-n se sa do të jenë çmimet për bizneset që hyjnë në tregun e liberalizuar dhe vazhdojnë të mbeten kliente të saj, por nuk mori përgjigje.
Aktualisht, për konsumatorët e amvisërisë dhe ata komercialë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
A ka alternativa?
Arben Gjukaj, ish-drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë se një alternativë tjetër për furnizim me energji elektrike është që vetë kompanitë të pajisen me licenca për furnizim.
“Një kompani mund të aplikojë për licencë pranë ZRRE-së dhe, pasi t’i përmbushë kriteret teknike, mund të blejë energji nga tregu i brendshëm ose jashtë vendit. Po ashtu, mund të lidhë marrëveshje me kompani që prodhojnë energji nga burimet alternative, si panelet diellore”, shpjegon Gjukaj për Radion Evropa e Lirë.
Aktualisht, 85 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Kosovë varet nga prodhimi i thëngjillit në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe rreth 20 për qind prodhohet nga burime të ripërtërishme, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.
Në përqindjen e fundit hyjnë edhe disa biznese që kanë investuar në burime të tilla, për t’i ulur kostot e energjisë.
Pse flitet tani për liberalizimin e tregut të energjisë?
Nga ZRRE-ja thonë se liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë qysh me Ligjin për energjinë elektrike, të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i të cilit është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Duke shpjeguar këtë ligj, ZRRE-ja thotë se të drejtën e furnizimit me shërbime të rregulluara, “e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë, që kanë qarkullim vjetor jo më shumë se dhjetë milionë euro, ose jo më shumë së 50 punonjës”.
Realizimi i këtij procesi është shtyrë deri në mars të vitit 2021, me kërkesë të përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, të cilët, siç kujton Rafuna, kanë kërkuar të mos realizohet pa u krijuar kushtet e duhura.
Më pas, në vitin 2021, kur ka qenë edhe kulmi i pandemisë COVID-19, ZRRE-ja ka vlerësuar se nuk është koha e duhur që bizneset t’i nënshtrohen liberalizimit të tregut të energjisë, meqë shumë prej tyre ishin prekur nga kufizimet që kishte shkaktuar pandemia.
Tani, katër vjet më vonë, Rafuna dhe Fusha kërkojnë nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë sërish fillimin e këtij procesi, derisa të këtë më shumë furnizues me energji në treg dhe të krijohen mekanizma mbrojtës për kompanitë, në mënyrë që ato të mos detyrohen të paguajnë, siç shprehen, çmime të padrejta.
Mediumi pyeti edhe Qeverinë, edhe ZRRE-në se cilat janë gjasat që të shqyrtohet kjo kërkesë.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria nuk u përgjigj, ndërsa ZRRE-ja theksoi se “liberalizimi i tregut energjetik është kërkesë ligjore” dhe nuk tregoi nëse mund të shqyrtohet kërkesa ose jo.
Ky institucion tha se ka licencuar kompani të mjaftueshme për furnizim me energji, ndërsa sa u përket mekanizmave mbrojtës, theksoi se do t’i monitorojë vetë marrëveshjet mes bizneseve dhe kompanive furnizuese.
“ZRRE-ja mund të ndërhyjë nëse ndodhin praktika të padrejta, siç është abuzimi me pozita dominuese nga furnizuesit”, thuhet në përgjigjen e rregullatorit për Radion Evropa e Lirë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Liberalizimi i tregut të energjisë, ZRRE del me njoftim zyrtar

Më në fund Vespa vjen seriozisht në Kosovë!

Çmimet në “qiell”, qytetarët ankohen për shtrenjtimin e perimeve

Blej më të mirën dhe kurse me Petrol Company!

Roli i hidratimit të organizmit gjatë muajit të Ramazanit me filtrin e ujit Camelot!

Krepat natyrale Vici – Ëmbëlsia që ju duhet pas Iftarit

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Rizarta akuzon produksionin në transmetim direkt se kanë publikuar bisedën e saj pa autorizim: Mendoja se po flisja me psikologen, nuk e dija që do jepej ky klip

Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Tifozët nuk mund ta besojnë atë që ndodhi menjëherë pas super golit që shënoi Lamine Yamal për Barcelonën

Si e sheh botën zëvendëspresidenti amerikan - dhe pse kjo ka rëndësi

I dyshuari për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, në mesin e personave nga ish-njësiti famëkeq, në mbrojtje të Vuçiqit nga studentët