Leon Mannes në Kosovë - ylli i rrjeteve sociale që u ftua nga Neymar ndan përvojën e tij dhe dashurinë për futbollin

Leon Gillies Mannes, i njohur si ‘Leon Street Skills’ në rrjetet sociale, po qëndron në Kosovë prej disa javësh, duke tërhequr vëmendjen e të rinjve dhe adhuruesve të futbollit me aftësitë e tij të jashtëzakonshme teknike.
Me miliona ndjekës në TikTok dhe Instagram, Leon është kthyer në një figurë frymëzuese për futbollistët e rinj në të gjithë botën.
Në një intervistë për Telegrafin, ai rrëfen fillimet e tij modeste dhe mënyrën se si pasioni për futbollin rrugor e çoi drejt bashkëpunimeve me yje botërorë si Neymar dhe Ronaldinho.
“Neymar Junior është frymëzimi dhe idhulli im. Gjithçka filloi duke bërë disa truke me topin, frymëzuar nga ai dhe atmosfera braziliane. E shikoja gjithmonë dhe nisa të imitoja lëvizjet e tij. Pastaj, ndodhi diçka që nuk e kisha imagjinuar: ekipi i tij më kontaktoi për t’u bërë pjesë e turneut të ‘futbollit të rrugës’ që u zhvillua në Katar për shkak të pandemisë”, tregon Leon.
Ai kujton se deri në atë moment, ishte aktiv në rrjetet sociale vetëm prej disa muajsh, por pas ftesës nga Neymar, karriera e tij mori hov.
“Pas asaj ftese, gjithçka ndryshoi. Filluan të më njohin më shumë dhe kam pasur fatin të luaj edhe kundër Ronaldinhos në Los Anxhelos. Janë dy emra që më kanë frymëzuar gjithmonë”.
Pse Kosova? Për qëndrimin e tij aktual në Kosovë, Leon shprehet se ka pasur gjithmonë dëshirë ta vizitojë vendin dhe të njihet me kulturën e futbollit vendas.
“Gjithmonë kam dashur të vij në Kosovë. E di që këtu e duan futbollin – fëmijët luajnë gjithë ditën në rrugë. Një mik i imi është nga këtu dhe më ka folur gjithmonë për mikpritjen dhe dashurinë e popullit për sportin. Tani e shoh vetë që njerëzit janë të jashtëzakonshëm”, tregon ai.
Leon ka ndarë me ndjekësit e tij përvojat e tij në Kosovë edhe përmes videove në rrjetet sociale, ku shpeshherë shihet duke performuar truke në rrugët e Prishtinës dhe duke bashkëvepruar me fansat. /Telegrafi/



































