Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia do të mblidhet këtë të shtunë për të diskutuar dhe vendosur mbi çështjet e brendshme, duke vënë theksin te procesi demokratik dhe pjesëmarrja e lirë e anëtarësisë.

Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e hapjes dhe debatit brenda partisë.


“LDK nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara. Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka sqaruar se procesi i së shtunës do të jetë në frymën e respektimit të anëtarësisë dhe pa ndikime të jashtme.

“Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe”, u shpreh Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka bërë thirrje për pjesëmarrje aktive dhe ka theksuar se nga ky proces partia do të dalë më e fortë.

“Koha tani të flasë anëtarësia jonë. Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës”, ka shkruar ai.

Abdixhiku ka konfirmuar gjithashtu se ftesat zyrtare për delegatët e partisë janë dërguar.

“Sot kam dërguar ftesën zyrtare për delegatët e LDK-së. Të shtunën takohemi për të vendosur drejtimin e shtëpisë sonë”, u shpreh Abdixhiku.

Ndryshe Avdullah Hoti, ish‑kryeministër dhe anëtar i kryesisë së partisë ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së, duke njoftuar se do të kërkojë besimin e delegatëve në kuvendin e datës 31 janar 2026.

Hoti ka thënë se kandidatura e tij vjen “pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor” dhe ka kërkuar mbështetjen e strukturave të partisë për të udhëhequr LDK‑në drejt ringritjes politike e organizative. /Telegrafi/