LDK në Fushë Kosovë prezanton dy kandidatë për deputetë

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Fushë-Kosovë ka votuar sot njëzëri dy kandidatët që do ta përfaqësojnë degën në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Zyrtarisht, Besnik Osmani dhe Majlinda Shaqiri do të jenë pjesë e garës për Kuvendin e Kosovës.
Në njoftimin e degës theksohen përvojat dhe kontributi i të dy kandidatëve. Për Besnik Osmanin, LDK Fushë-Kosovë thotë se është një figurë e njohur për publikun:
“Besnikun e njihni të gjithë, e keni dëgjuar, e keni parë, e keni ndjekur. Njeri i urtë, i dijshëm, profesionist dhe gjithmonë i gatshëm për t’i shërbyer vendit. Mjafton në Google emri i tij të kërkohet.”
Për Majlinda Shaqirin, nënvizohet profili i saj i gjerë profesional dhe kulturor:
“Majlinda, magjistër e Shkencave Filologjike, zyrtare e lartë në MAPL, gazetare dhe moderatore. Autore e disa librave poetikë dhe fituese e çmimeve letrare kombëtare e ndërkombëtare. E angazhuar në administratë publike, kulturë dhe letërsi. Grua dhe nënë e përkushtuar.”
Në fund, dega e LDK-së u ka uruar të dy kandidatëve suksese në procesin zgjedhor, duke shtuar: “Uroj shumë suksese në këtë rrugëtim, të cilin pak kohë më parë e kalova vetë. Dalshit faqebardhë!”
















































