Largimi i Tovërlanit, legjenda Hekuran Kryeziu merr drejtimin e Kombëtares së Kosovës U21

Afrim Tovërlani është larguar nga Kombëtarja e Kosovës U21 për të marrë drejtimin e FC Prishtinës.
Por pa kaluar as 24 orë, FFK ka bërë zgjedhjen, duke i besuar postin e selektorit të U21, ish-mesfushorit të Kombëtares së Kosovës, Hekuran Kryeziu.
Kryeziu është një nga legjendat e Kombëtares dardane, pasi në vitin 2015 kishte ardhur te Dardanët, madje duke i qëndruar besnik Kosovës edhe pse ishte ftuar nga Shqipëria.
Deri më tani Kryeziu ka qenë ndihmës i Tovërlanit te Kombëtarja U21 e Kosovës.
Njoftimi i plotë nga FFK:
Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se përzgjedhësi i deritanishëm i Kombëtares U21, Afrim Tovërlani, është liruar nga detyra me kërkesë të tij dhe me marrëveshje të dyanshme, për t’u angazhuar si kryetrajner te FC Prishtina.
FFK i shpreh falënderimet më të sinqerta Tovërlanit për punën e palodhshme dhe korrektësinë profesionale gjatë viteve të angazhimit në Kombëtaren U21, duke kontribuar në zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe forcimin e ekipit.

Nga tani, përgjegjësinë e përzgjedhësit të Kombëtares U21 do ta marrë Hekuran Kryeziu, i cili deri më tani ka qenë ndihmëstrajner i Tovërlanit. Kryeziu, me një karrierë të bujshme si futbollist, si në nivel klubesh, por po ashtu edhe me fanellën e Kombëtares dardane, do të vazhdojë punën bashkë me pjesën tjetër të stafit të trajnerëve, me synimin e vazhdimësisë së rezultateve pozitive dhe stabilitetit në ekipin kombëtar U21.
Me këtë rast, FFK u uron sukses të dy trajnerëve në sfidat e tyre të reja, teksa do të vazhdojë të ndjekë frymën e profesionalizmit dhe afrimit të ish-futbollistëve të Kombëtares në detyra të reja. /Telegrafi/



















































