Lajm i mirë nga Kievi: Me ose pa armëpushim, Ukraina ka vetëbesim

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Javën e kaluar, treni im mbërriti në Kiev, ndërkohë që raketat balistike dhe dronët rusë goditën qytetin, duke vrarë një nënë dhe djalin e saj. Pak më shumë se një vit më parë, isha për herë të fundit në Ukrainë. Atëherë, në prill të vitit 2024, atmosfera ishte e zymtë. Njerëzit ishin të frustruar nga vonesat në ndihmën ushtarake perëndimore dhe kishin një frikë të qartë nga përparimet territoriale të Rusisë - madje edhe nga mundësia e një kolapsi të vijës së frontit të Ukrainës. Sot, konteksti ndërkombëtar është edhe më i tensionuar. Administrata Biden ishte shumë e ngadaltë dhe e frikësuar, por pak vetë kishin dyshim nëse ShBA-ja nuk donte të ndalonte fitoren e Rusisë. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Donald Trumpin, afërsia ideologjike e të cilit me Vladimir Putinin ka destabilizuar Evropën, duke filluar me Ukrainën.
Por, pavarësisht tradhtive të administratës Trump, në Kiev hasa në një atmosferë më të sigurt se një vit më parë. Pas më shumë se tre vjetësh në luftë, ukrainasit janë të lodhur, por jo të rraskapitur. Ushtarët, përfaqësuesit e shoqërisë civile, parlamentarët dhe zyrtarët qeveritarë të cilët i takova, dukeshin gjithnjë e më të vendosur të rezistojnë dhe të mbrojnë vendin e vet.
Ky vetëbesim buron nga rritja e vetëmjaftueshmërisë së vendit. Industria ukrainase e dronëve është mbresëlënëse për nga avantazhi teknologjik, përshtatshmëria, prodhimi masiv dhe shpejtësia. Në prodhimin e dronëve dhe artilerisë, Ukraina po forcohet dita-ditës. Ajo nuk ka arsye të ketë zili nga shumë fqinj evropianë dhe ka shumëçka për t’i mësuar ata.
Dhe, ndonëse mungesa e personelit është një problem, ushtria ukrainase - sidomos njësitë profesionale - (fatkeqësisht) e kupton luftën më mirë se forcat e tjera diku në Evropë. Sigurisht, në Kiev mbizotëron realizmi: askush nuk mendon se kjo kuptueshmëri është e mjaftueshme për të rimarrë territoret e humbura. Por, megjithëse nuk pritet më paqja përmes fitores ushtarake ndaj Rusisë, nuk ekziston më as frika nga një disfatë si më parë. Ukraina po kalkulon në heshtje, duke kërkuar një armëpushim të qëndrueshëm përmes fuqisë parandaluese.
Kjo nuk do të thotë se ukrainasit mendojnë se mund - apo duan - të veprojnë të vetëm. Është e qartë ndjesia e zhgënjimit nga ShBA-ja. Por, në Kiev, ka një vetëdije të qartë se Ukraina ende ka nevojë për Uashingtonin, veçanërisht për inteligjencën, mbikëqyrjen, zbulimin dhe mbrojtjen ajrore.
Është e vërtetë që është shqetësuese afërsia e hapur mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit. Por, ukrainasit gjithashtu besojnë se Putini do të vazhdojë ta teprojë me kërkesat e veta. Kjo është arsyeja se pse Volodymyr Zelenskyy e sfidoi këtë javë, duke propozuar një takim ballë për ballë në Stamboll.
Putini, në pozicion jo të mirë, mund të nxjerrë një tjetër lepur diplomatik nga kapela, për të fituar kohë, për të shtyrë sanksionet e reja dhe për të përçarë sërish Perëndimin. Por, po bëhet gjithnjë e më e qartë, edhe për Shtëpinë e Bardhë që simpatizon Putinin, se Rusia tani nuk dëshiron t’i japë fund luftës. Kjo, së bashku me marrëveshjen për mineralet që Ukraina nënshkroi me administratën Trump, mund të ketë ndikuar në një ripozicionim të kujdesshëm të Uashingtonit.
Lufta në Ukrainë nuk mund të përfundohej kurrë për 24 orë, siç mburrej Trumpi, sepse ajo nuk ka qenë kurrë luftë mes Perëndimit dhe Rusisë, siç pretendonte propaganda ruse dhe siç dukej se besonte Trumpi. Lufta nuk po përfundon, sepse i vetmi njeri që mund ta ndalë - Putini - vazhdon të mendojë se mund të fitojë. Kjo e vërtetë mund të mos e shtyjë Trumpin të ndërrojë kurs drejt mbështetjes së plotë për Ukrainën. Por, mund ta shtyjë Uashingtonin të kalojë nga një qëndrim armiqësor aktiv ndaj Kievit, në një moskokëçarje. Në këtë skenar, ShBA-ja do të tërhiqej gradualisht nga përfshirja në luftë, duke vazhduar megjithatë të ofrojë ose të lejojë shitjen e kapaciteteve ushtarake për Ukrainën. Dhe, megjithëse kjo nuk është zgjidhja ideale, Kievi mund ta përballojë një ShBA që largohet në mënyrë dashamirëse, shumë më lehtë sesa një ShBA që haptazi e pengon.
Ana tjetër e medaljes është se Ukraina po integrohet gjithnjë e më shumë në arkitekturën e re të sigurisë evropiane që tani po merr formë. Në Ditën e Evropës, më 9 maj, ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën në Lviv. Disa orë më vonë, liderët e Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar mbërritën në Kiev - vizita e tyre e parë e përbashkët. Kjo nuk ishte vetëm simbolike: këto shtete, së bashku me vendet nordike dhe baltike, përbëjnë jo vetëm bërthamën e “koalicionit të të gatshmëve” që mbështet Ukrainën, por edhe arkitekturën e re evropiane të sigurisë që po lind nga kërcënimi rus dhe zhgënjimi ndaj ShBA-së.
Mbështetja e tyre për Ukrainën, si diplomatike ashtu edhe ushtarake, është thelbësore për t’i treguar botës - dhe sidomos Uashingtonit - se është Putini dhe vetëm Putini ai që dëshiron vazhdimin e luftës.
Çfarëdo që të ndodhë këtë javë, është thelbësore që udhëheqësit evropianë të mos kufizohen në diskutime për një “forcë sigurie”, pas një marrëveshjeje për një Ukrainë të ndarë territorialisht. Kjo ide ka qenë e rëndësishme për të ruajtur moralin ukrainas kur dukej se Trumpi ishte përqafuar plotësisht me Putinin. Dhe, qeveritë evropiane duhet të jenë të gatshme të përforcojnë kapacitetet parandaluese të Ukrainës në ajër, det dhe tokë, kurdo që lufta të nisë të fashitet.
Por, përparësia e menjëhershme është tjetër. Një armëpushim i qëndrueshëm, për fat të keq, nuk duket i afërt. Rusia mund të pranojë një pauzë afatshkurtër, por vështirë se do të ndalojë përfundimisht luftimet në muajt e ardhshëm.
Prandaj, aleatët e Ukrainës duhet të jenë të gatshëm ta mbështesin gjatë një lufte që vazhdon. Kjo nënkupton rritjen e mbështetjes ushtarake evropiane. Gjithashtu, kjo nënkupton bashkëpunimin për forcimin e industrisë mbrojtëse të Ukrainës, përmes projekteve të përbashkëta me kompani evropiane. Po aq i rëndësishëm është edhe integrimi më i gjerë i Ukrainës në planet dhe veprimet e sigurisë e të mbrojtjes evropiane. Përvoja e Ukrainës në fushën e betejës, e lindur nga tragjedia e luftës, është e çmuar teksa Evropa përpiqet të forcojë mbrojtjen kolektive.
Siguria e Evropës kalon përmes Kievit. Të kuptosh këtë do të thotë që udhëheqësit e “koalicionit të të gatshmëve” do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën. Ata e dinë se Rusia përbën kërcënimin më të madh për Evropën.
Por, kjo nuk është një rrugë njëdrejtimëshe: ndërsa evropianët forcojnë mbrojtjen e tyre kundër Rusisë, ata vetëm se do të përfitojnë nga përfshirja e Ukrainës në këtë përpjekje. Qëndrueshmëria e Ukrainës vjen nga vetëbesimi i shtuar. Ndërsa fuqitë kryesore evropiane vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kievit, edhe ato duhet të jenë më të sigurta se integrimi i Ukrainës në institucionet, industritë dhe shoqëritë e tyre të përbashkëta do ta forcojë Evropën në tërësi. /Telegrafi/
















































