Kylian Mbappe po mbështetet gjerësisht që më në fund ta fitojë Topin e Artë në vitin 2026, pas shumë vitesh ku ka qenë shumë pranë lavdisë individuale në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Ylli francez pushtoi botën në vitin 2018 me Francën, ndërsa në finalen e Kupës së Botës 2022 realizoi një het-trik historik, por në fund mbeti i zhgënjyer pas humbjes ndaj Argjentinës së Lionel Messit.


Ish-reprezentuesi i Francës, Bacary Sagna, nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen e Mbappes dhe beson se ky është momenti i tij i madh.

“Ai do ta fitojë. Mendoj se ky është sezoni i duhur që ai ta fitojë Topin e Artë”.

“Mendoj se Kupa e Botës do të jetë shumë e mirë për të me kombëtaren e Francës. Gjithashtu besoj se ai do të ketë një ecuri shumë të fortë në Ligën e Kampionëve me Real Madridin”.

Sipas tij, sulmuesi tashmë është një hap përpara rivalëve të tij.

“Ai është tashmë në avantazh sepse po luan shumë mirë dhe është në pozicionin e parë. Përveç nëse ka një Kupë Bote shumë të dobët, gjë që nuk e besoj, mendoj se ai do ta fitojë Topin e Artë.”

Edhe një tjetër ish-lojtar i Francës, Frank Leboeuf, shpreson që ylli i Real Madridit më në fund të shpërblehet për nivelin e tij të jashtëzakonshëm.

“Unë vërtet dua që Mbappe ta fitojë Topin e Artë, sepse ai është një lojtar i jashtëzakonshëm”.

Mbappe vazhdon të jetë një nga figurat kryesore të futbollit botëror dhe viti 2026 shihet nga shumëkush si momenti ideal që ai ta kurorëzojë karrierën e tij me çmimin individual më prestigjioz./Telegrafi

telegrafi sport app