LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi nuk arrin të zgjedhë tre anëtarët e Bordit të RTK-së

Kuvendi nuk arrin të zgjedhë tre anëtarët e Bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë tre anëtarët e Bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit shqiptar, pasi asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë votat e mjaftueshme.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se andaj konkursi duhet të përsëritet për pozitat vakante për Bordin e RTK-së.


Në votim për zgjedhjen e tre anëtarëve të bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit shqiptar morën pjesë 61 deputetë, prej tyre të pavlefshme ishin 47 fletëvotime. Në garë ishin kandidatët Mehmet Kalisi, i cili mori shtatë vota, Ilir Bytyçi një votë, Albinot Maloku dhe Shukrie Rama nga katër vota, Naim Demiri 5 dhe Dritan Shaipi dy vota.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shqyrtuar si pjesë të vazhdimit të seancës së djeshme të jashtëzakonshme, me pikën e vetme të rendit të ditës – shqyrtimi i dytë i Projekt kodit doganor dhe akcizave, për të cilin nuk kishte kuorum pasi të pranishëm ishin 57 deputetë dhe mbeti që të diskutohet në një seancë të ardhshme.

Besnik Tahiri nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur kritika, duke thënë se ky ligj ka ardhur pa një konsultim paraprak dhe se ka pasur kërkesë prej faktorit ndërkombëtar që të mos bëhet kjo.

“E kam për detyrë të ju them se keni hyrë në një rrugë të gabuar…Nëse doni të shkojmë në zgjedhje, nuk është problem, jo në këtë formë, jo në këtë procedurë. Jemi duke votuar për një ligj në ora 19:00 të mbrëmjes, kur po e shohim se nuk kemi nevojë për të votuar. Cila ka qenë urgjenca e këtij ligji, jeni duke i bërë dëm vendit dhe nuk mund ta mbani këtë ligj, dhe prapë do të ktheheni mbrapa. Të kish kujdes, kryetar se edhe ty janë duke të futur në një rrugë në të cilën nuk mund të hysh”, ka thënë Tahiri. /kp/