Kuvendi Komunal i Gjilanit shfuqizon disa vendime për mbështetje financiare të shoqatave dhe propozon procedura të reja

Gjatë seancës së fundit të Kuvendit Komunal të Gjilanit, asamblistët kanë shfuqizuar disa vendime që lidhen me mbështetjen financiare të shoqatave dhe individëve në nevojë.
Në mesin e vendimeve të anuluara janë ato për sigurimin e shujtave për shërbyesit civilë, si dhe ndarja e fondeve për Shoqatën e të Verbërve, Handikos, Down Syndrome Kosova – dega në Gjilan, shoqatën "Pema", si dhe ndihmat financiare për qytetarët Isme Baftiu dhe Besim Jashari(dy individë të cilët kanë përfituar ndihmë financiare nga Kuvendi Komunal i Gjilanit).
Këto vendime janë cilësuar si të kundërligjshme nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Në këtë kontekst, Kuvendi i Komunës ka rekomanduar drejtorive komunale që të veprojnë me shpejtësi për shpalljen e thirrjeve publike, në përputhje me udhëzimet administrative në fuqi.
Në këtë mënyrë, mjetet e ndara për këto kategori do të barten në kategorinë e subvencioneve, duke siguruar që ndihma për shoqatat dhe individët e prekur të vazhdojë në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme. /Telegrafi/


















































