Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka miratuar buxhetin komunal për vitin 2026, si dhe parashikimet buxhetore për vitet 2027 dhe 2028.

Sipas njoftimit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, buxheti është miratuar me 21 vota për, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës, ku si pikë e vetme e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i propozim-buxhetit.


“Me 21 vota për, në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës u miratua pika e vetme e rendit të ditës: shqyrtimi dhe miratimi i propozim-buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2026, si dhe parashikimet buxhetore për vitet 2027 dhe 2028”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Prizrenit.

Ai ka theksuar se buxheti i miratuar pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të komunës.

“Buxheti i miratuar do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.

Miratimi i buxhetit hap rrugën për realizimin e projekteve dhe investimeve të planifikuara nga Komuna e Prizrenit për vitin e ardhshëm dhe periudhën afatmesme. /Telegrafi/