Kryetari i Komunës së Gjilanit ka njoftuar se Kuvendi Komunal sot nuk e ka miratuar Rregulloren për Sistematizimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil.

Hyseni tha se opozita vendosi ta shtyjë miratimin, duke e konsideruar këtë pengim të një hapi të rëndësishëm për modernizimin e administratës.


Sipas tij, rregullorja kishte për synim përmirësimin e pozitës së shërbyesve civil dhe rregullimin e koeficienteve, duke adresuar padrejtësitë shumëvjeçare.

Ndaj kësaj, ka reaguar LDK-dega në Gjilan, duke e bërë të ditur arsyen e mosvotimit të kësaj rregulloreje.

“Dokumenti prej mbi 50 faqesh na është dorëzuar vetëm 20 minuta para fillimit të seancës, pa kohë të mjaftueshme për lexim, analizë dhe shqyrtim të hollësishëm”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Si rrjedhoj, LDK konsideron se votimi i kësaj rregulloreje pa shqyrtim të detajizuar, do të ishte i ngutshëm, duke theksuar se janë të përkushtuar për një administratë komunale funksionale, transparente dhe të drejtë.

Për këtë arsye, LDK dhe opozita e Gjilanit kanë marrë iniciativën dhe kanë thirrur një seancë të jashtëzakonshme për datën 4 qershor, me qëllim që kjo rregullore të shqyrtohet seriozisht dhe të votohet në mënyrë të përgjegjshme, me kohë të mjaftueshme për të kuptuar secilin nen të saj. /Telegrafi/