Kusari reagon për gjuhën kërcënuese të Sami Kurteshit ndaj mediave

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar pas deklaratave të ashpra të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi, i cili e quajti Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) “aleancë të grupeve kriminale”.
Në reagimin e saj, Kusari thekson se AGK nuk është një grup kriminal, por një organizatë profesionale, e fuqishme dhe me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar në mbrojtjen e gazetarëve.
Ajo shton se gazetarët nuk janë “vrasës me pagesë”, por profesionistë që kanë detyrim të mbajnë pushtetin përgjegjës.
“Kjo gjuhë e rrezikshme dhe kërcënuese nuk i dëmton gazetarët e as mediat, por cenon besueshmërinë e institucioneve dhe shtetit. Ehat Miftaraj dhe IKD-ja nuk e dëmtojnë vendin, por i shërbejnë atij”, ka deklaruar Kusari.
Ajo ka kritikuar edhe Vetëvendosjen, duke thënë se partia ka ndërtuar një kulturë denigrimi dhe nxitjeje të urrejtjes ndaj aktivistëve, gazetarëve dhe mediave.
Në fund, Kusari u ka bërë thirrje qytetarëve dhe ndjekësve të mediave që të mos bien pre e strategjive që synojnë portretizimin e mediave dhe aktivistëve si armiq të shtetit.










































