Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi në Kuvend Kosova do të humbë miliona euro nëse nuk miratohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Kurti gjatë fjalimit në Kuvend tha se në Kosovë s’ka krizë ekonomike, prandaj sipas tij, s’ka protesta të qytetarëve por vetëm ankesa të opozitarëve.


“Të nderuar deputetë, në Kosovë nuk ka krizë ekonomike. Rritja ekonomike në tremujorin e dytë sivjet ka qenë 4.5 për qind të bruto produktit vendor. Në këto katër vite sa isha kryeministër e tash edhe sa jam në detyrë, asnjëherë rritja nuk ka qenë nën 4 për qind.

Rritja ekonomike është 6 për qind. Prandaj s’ka protesta të qytetarëve, por vetëm ankesa të opozitarëve. Në Kosovë s’ka krizë ekonomike. Po rrezikojmë krizë sociale nga kriza buxhetore e financiare për shkak të keqpërdorimeve të procedurave. Le të mos keqpërdoren procedurat.

Le të jemi në nivel të përgjegjësisë si përfaqësues të popullit, por edhe si zyrtarë të shtetit, si dikush që personifikon dhe ndërton imazhin e shtetit të pavarur si republikë demokratike. Qëndrimet e subjekteve që nuk janë të pranishme, për besë, nuk kanë alibi. Nëse ne sipas tyre qenkemi vonuar, pse nuk janë këtu që të na lënë neve fajin dhe popullit buxhetin”, shtoi ai.

Duke folur për pagat e RTK-së, siç njofton Kp, Kurti tha se qeveria e ka të pamundur të ofrojë sërish një overdraft për RTK-në, teksa theksoi nevojën që Kuvendi të miratojë raportin e RTK-së.

“Qeveria e ka të pamundur të ofrojë over-draft mbi over-draftin. Kur vetë themeluesi i RTK-së që është Kuvendi refuzon të alokojë buxhetin”, tha ai. /Telegrafi/