Në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut, në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë.
Kurti ka thënë se nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse në takimin që do ta ketë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel. Sipas tij, në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”.
Kryeministri ka bërë të ditur se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.
Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për Komunat me shumicë serbe, ai ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë.
Radio Evropa e Lirë: Të shtunën, Policia e Kosovës u përball me një sulm të armatosur në veri. Sulmet janë të përsëritura. A po bëhet i vështirë qarkullimi i Policisë në atë zonë?
Albin Kurti: Nga viti i kaluar deri sivjet i kemi pasur 14 sulme në veri të Kosovës, me ç’rast dhjetë prej tyre kanë qenë kundër zyrtarëve policorë. Këto ndodhin prej elementeve kriminale, të cilat bëjnë kontrabandë, e që janë të përfshira në trafiqe të ndryshme, ku dominon shpëlarja e parave, por sidomos droga.
Duhet të thuhet se jo vetëm kemi konfiskim të sasive të konsiderueshme të drogës, kemi edhe pesë laboratore të drogës që i kemi zbuluar dhe i kemi ndaluar në veri të Kosovës. Pra, është krimi i organizuar atje ai që rrezikon, jo vetëm rendin publik dhe sigurinë tonë kombëtare, por gjithashtu edhe organet tona të sigurisë dhe të rendit, përkatësisht Policinë e Kosovës, e cila me një profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe me guxim të pashoq është duke i bërë ballë dhe duke pasur sukses atje.
Nga prilli i vitit të kaluar deri në korrik të këtij viti kemi pasur 69 raste të iniciuara kundër krimit dhe kontrabandës në veri, me ç’rast janë realizuar 35 operacione të Policisë.
Sulmet kundër Policisë së Kosovës në veri
Radio Evropa e Lirë: Me gjithë këto sulme që po i përmendni ndaj Policisë së Kosovës, ende nuk e kemi parë që dikush është përballur me drejtësinë për këto sulme. Çfarë po bën shteti për të mundësuar qarkullim të sigurt të Policisë së Kosovës në veri të vendit?
Albin Kurti: Policia është hallka e parë e drejtësisë që duhet të vazhdohet më pastaj me Prokurori aktive dhe me gjyqësor efikas. Besoj që puna e madhe e Policisë do të pasohet edhe nga sistemi i drejtësisë.
Ndërkaq, për Policinë tonë ne jemi duke ndërmarrë të gjitha masat që ajo të jetë sa më pak e cenueshme, por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm që rreziku zero nuk është i mundur.
Njëkohësisht bashkëpunojmë edhe me partnerët, aleatët ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in, por edhe me përfaqësitë diplomatike këtu që të kemi sa më shumë informacion e parashikueshmëri dhe rrjedhimisht sa më pak rrezik për policët tanë.
Radio Evropa e Lirë: Në fundjavë, po ashtu, në veri të vendit u kap një shtetase ruse, e cila tashmë është shpallur e padëshiruar në Kosovë. A dihen qëllimet e saj brenda Kosovës?
Albin Kurti: Padyshim që qëllimet e saj nuk kanë qenë të mira. Dhe, këtë e kanë konstatuar edhe ata, të cilët e kanë intervistuar. Bëhet fjalë për një person të mirënjohur nga shumë shtete në Evropën lindore për veprimtarinë destruktive gjithnjë në funksion të Kremlinit zyrtar. Dhe nuk është e rastësishme që ajo u përpoq të vinte nga vendkalimi kufitar në veri të Kosovës. Pra, ishte në Serbi ku mbase ishte edhe e mirëpritur dhe që prej atje provoi të hynte edhe në Kosovë dhe organet tona e ndaluan dhe më pastaj edhe e dëbuan.
Nuk është e çuditshme që ajo vjen nga Serbia meqënëse Rusia po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për të destabilizuar Ballkanin dhe në veçanti [për ta] sulmuar Kosovën që është rast i suksesshëm edhe i intervenimit të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në pranverën e vitit 1999 edhe shembull suksesi i zhvillimit ekonomik me demokraci cilësore.
Të gjithë e dimë se në Serbi ekziston baza regjionale për Sputnikun në Beograd konkretisht dhe po atje brenda Ministrisë së Mbrojtjes ndodhet zyra e Ministrisë së Mbrojtjes e Rusisë. Ndërkaq 160 kilometra nga ky vend ku po e zhvillojmë intervistën, në Nish të Serbisë, është e ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruse me shumë agjentë dhe me shumë oficerë rusë, të cilët bashkë me ata serbë natyrisht kanë për synim se si ta destabilizojnë Kosovën, si ta cenojnë paqen dhe demokracinë, si ta rrezikojnë sigurinë për Kosovën dhe jo vetëm. Andaj, veprimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ishte i menjëhershëm, i saktë, i duhur dhe profesional.
Radio Evropa e Lirë: Por, a ka informacione për persona të tjerë të infiltruar nga Rusia, sidomos në veri të vendit? Gjithashtu e keni përmendur se ka informacione për dezinformata të qëllimshme të shpërndara nga Rusia sidomos për çështjen në veri. Çfarë dini për këtë dhe çfarë është duke bërë Kosova për t’i luftuar këto dezinformata?
Albin Kurti: Ata janë duke e udhëhequr një luftë hibride, e cila siç është dëshmuar në rastin e Ukrainës, nuk është zëvendësim për luftën tradicionale çfarë e njeh historia, por është fazë përgatitore për të.
Andaj, ne jemi shumë vigjilentë. Jemi të brengosur, por nuk jemi të frikësuar meqenëse mekanizmat tanë shtetërorë janë në nivel të detyrës dhe për nga cilësia e tyre padyshim që mund t’iu bëjnë ballë ndërhyrjeve të atilla.
Edhe në shtatorin e vitit të kaluar, atëherë kur u ngritën për herë të parë barrikadat gjatë qeverisjes sonë, e mbaj mend shumë mirë se shumë prej atyre serbëve të strukturave ilegale të Serbisë që paguhen nga Beogradi dhe dirigjohen prej andej, e kur dalin në rrugë shndërrohen në banda kriminale, kishin afërsi me Moskën po aq sa me Beogradin e shpeshherë edhe më shumë se aq.
Nga invazioni dhe agresioni rus në Ukrainë kemi këtë fenomenin kur ata që kanë marrë pjesë nga Serbia në luftërat në ish-Jugosllavi tashmë nuk janë vetëm nacionalistë e shovinistë serbë, por të njëjtën kohë edhe adhurues të presidentit despotik [Vladimir] Putin dhe mbështetës të tij.
Andaj, në masë të konsiderueshme, Kremlini nuk ka nevojë të sjellë agjentë rusë në Serbi shumë, ndonëse edhe këtë e bën, meqenëse ka jo pak serbë vullnetarë që e kryejnë këtë punë. Mbase edhe këto matjet e opinionit publik në Serbi janë duke na dhënë fakte shqetësuese që më shumë se dy të tretat e serbëve në Serbi kanë mendim pozitiv për presidentin despotik Putin dhe, në anën vjetër, mbështetja për Bashkimin Evropian ka rënë në një të tretën.
Radio Evropa e Lirë: A ka dyshime konkrete për agjentë rusë ose persona të infiltruar në Kosovë, sidomos që qëndrojnë në veri të vendit pas arrestimit që ndodhi në fundjavë?
Albin Kurti: Sigurisht që ka dyshime, mirëpo organet tona të inteligjencës dhe sigurisë grumbullojnë të dhënat dhe vetëm më pastaj veprojnë duke i dëbuar ata, për të cilët kemi dyshim të bazuar për të mos thënë edhe siguri, sepse kjo u përket edhe organeve të gjyqësorit se bëhet fjalë për njerëz, të cilët kanë ardhur ta luftojnë republikën tonë, demokracinë tonë e sigurinë tonë.
Barrikadat u vendosën edhe “për të qëlluar mbi automjetet”
Radio Evropa e Lirë: Edhe javën e kaluar, Kosova e kaloi një fundjavë me tensione. A mund të na tregoni se cilat ishin prapaskenat për marrjen e vendimit për shtyrjen e vendimeve për targat dhe për dokumentet hyrëse për shtetasit serbë?
Albin Kurti: Prapaskenat e tensioneve të 31 korrikut ishin skenat në Rashkë dhe Beograd ku u mbajtën mbledhjet përgatitore për ato 11[barrikada], plus dy barrikada, që u ngritën në veriun e Kosovës.
Kishim 11 barrikada në fshatrat e ndryshme dhe dy barrikata shtesë në urat te Liqeni i Ujmanit. Dhe së paku, nëntë barrikada janë ngritur brenda 10 minutave. Bëhet fjalë për një organizim dhe një përgatitje që nuk mund të jetë thjesht qytetare, por është shtetërore. Kjo është gatuar në Beograd që për më shumë se një muaj kishte zhvilluar fushatë se si me datën 1 gusht në Kosovë do të nisë e ashtuquajtura ‘Stuhia’, ngjashëm sikur në Kroaci dhe se do ta pasojë ferri në Kosovë.
Ata, duke qenë të vetëdijshëm se me datën 1 gusht nuk do të ketë asgjë të ngjashme, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se do të ketë vetëm një dokument që u lëshohet qytetarëve nga Serbia, jo të Kosovës, por [atyre] nga Serbia që vijnë me dokumente të lëshuara nga autoritetet atje, e shkaktuan një ditë përpara atë tensionim që kishte për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë rrezikimin e rendit publik dhe shkeljen e të drejtave të qytetarëve për liri të lëvizjes.
Këto barrikada që janë ngritur më 31 korrik e kanë një risi sepse për nga karakteri i tyre nuk janë thjesht barrikada për të penguar qarkullimin, por edhe për të qëlluar mbi automjetet që vijnë. Andaj në këto barrikada kishte njerëz të armatosur. Nuk bëhej fjalë për barrikada me njerëz civilë që, thjesht, pengojnë lirinë e qarkullimit. Bëhej fjalë për barrikada me njerëz të armatosur, të cilët e kanë vendosur barrikadën në një pozicion të tillë që është i favorshëm për të qëlluar mbi automjetet ose njerëzit që vijnë.
Nga këto 11 plus 2, gjithsej 13 barrikada të 31 korrikut kemi pasur dhjetëra shkelje të rënda të ligjit me të cilat po merren organet e shtetit dhe kishim edhe 11 shqiptarë të lënduar apo të maltretuar.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë katër orë para nisjes së zbatimit të vendimeve, me deklarime publike ju jeni treguar shumë i vendosur për zbatimin e këtyre vendimeve. A ka pasur diçka specifike, sidomos gjatë bisedave me faktorët ndërkombëtarë, me ambasadorin amerikan, që iu ka shtyrë drejt shtyrjes së zbatimit të vendimeve?
Albin Kurti: Edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, (Josep) Borrell, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, (Jeffrey) Hovenier, kanë kërkuar prej nesh që ta shtyjmë për 30 ditë zbatimin e vendimit, me ç’rast edhe njëherë e kanë konfirmuar që vendimi është i drejtë. Dhe, unë jam i bindur që edhe zbatimi ka qenë i drejtë.
Përgjatë orëve të 1 gushtit, 2.679 dokumente i kemi lëshuar në vendkalimet tona kufitare për qytetarët që kanë ardhur me dokumente të Serbisë dhe 20 sekonda ka qenë mesatarja e kohëzgjatjes së lëshimit të këtij dokumenti.
Ndërkaq, kur kalon në Serbi këtë dokument ta vonojnë prej 10 minuta deri në mbi 1 orë, sepse nganjëherë duan të të dekurajonë të mos e kalosh fare kufirin, për të vizituar familjarë, për shembull, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e nganjëherë dëshirojnë që t’iu japësh para në mënyrë që të të lejojnë të kalosh.
Pra, atje ka edhe vonesa, edhe padrejtësi, edhe korrupsion. Ndërkaq, në Kosovë ka efikasitet digjital. Dhe, ata kanë qenë të vetëdijshëm që Kosova do të dëshmohet edhe më shumë si shtet me datën 1 gusht.
Ne jemi kritikuar edhe nga faktorët ndërkombëtarë që fushata jonë nuk ka qenë e mjaftueshme. Unë besoj që kemi bërë fushatë të mirë. A është plotësisht e mjaftueshme? Mbase asnjëherë, mirëpo nuk mendoj që ka qenë e mangët.
Ajo çka unë jam pajtuar me faktorët ndërkombëtarë, evropianë dhe amerikanë, është që ka pasur një fushatë tejet të madhe të dezinformimit, të cilën, ç’është e vërteta, ne mbase nuk e kemi analizuar dhe trajtuar sa duhet.
Albin Kurti: Kemi mundur ta parashikojmë si qasje e Beogradit, por mbase jo përmasën e efektit. Duke qenë se serbët në Kosovë përgjithësisht i shikojnë mediat televizive në Serbi dhe ta zëmë, kanali i dytë i RTK-së nuk arrin të depërtojë sa mediat e Serbisë, qytetarët serbë në Kosovë, por edhe qytetarët serbë në Serbi i janë nënshtruar një fushate të paparë të dezinformimit për atë se çka do të ndodhë më 1 gusht. Dhe, kjo pastaj ka krijuar shumë frikë, shumë ankth dhe shumë pasiguri edhe tek ata.
Shtyrja që ne e kemi bërë deri më datën 1 shtator, kur do të vazhdojë zbatimi, pra ky numri 2.679 do të rritet për ata që vijnë në Kosovë, ka të bëjë me një lloj ndjeshmërie shtesë të Qeverisë së Kosovës për brengën e madhe të faktorëve demokratikë ndërkombëtarë për fushatën dezinformuese të Serbisë.
Unë besoj që në kontekstin aktual e kemi bërë zgjidhjen e duhur. Jemi vonuar 11 vjet. Nëse këtyre 11 vjetëve ua shtojmë edhe katër javë për ta përforcuar qëndrimin, vendimin tonë edhe me mbështetje edhe më të madhe ndërkombëtare, unë besoj që ia vlen.
Në vitin 2011, Serbia ka pranuar në Bruksel se ajo do të lëshojë dokument, por këtë do ta bëjë edhe Kosova.
Mirëpo, me kalimin e viteve Serbia është mësuar me privilegjin që ia ka dhënë Kosova duke mos e zbatuar masën e njëjtë. Dhe tash kur e vendosim reciprocitetin, Serbisë i duket padrejtësi. Zaten, ai i cili është mësuar me privilegje, barazia i duket padrejtësi. Kjo është situata e raportit tonë me Serbinë.
Radio Evropa e Lirë: Kryeministër përmendët grupet e armatosura që ishin të gatshme të qëllonin ndaj turmave. A ka pasur rrezik që në atë natë situata të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur në veri?
Albin Kurti: Rrezik ka pasur për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd. Pra, mbledhjet në Beograd dhe në Rashkë janë vendet dhe ngjarjet ku është planifikuar ai tensionim i situatës në Kosovë. Padyshim që rreziku ekziston, por ne bëjmë gjithçka që atë ta minimizojnë.
Radio Evropa e Lirë: Nga opozita jeni kritikuar për zmbrapsjen e vendimit, duke thënë se me këtë po e jepni një përshtypje që veriu është jashtë kontrollit të shtetit. Si i përgjigjeni kësaj?
Albin Kurti: Unë nuk mund të them që shteti i Kosovës e ka kontrollin si në veri të Kosovës si në pjesë të tjera. Por, mund të them që prej nga viti 1999, kur është çliruar Kosova, e deri më sot luftim të krimit e korrupsionit dhe veprimtari e operacione të Policisë së Kosovë sikurse këtë vit, në veri të Kosovës nuk ka pasur asnjëherë.
Pra, ne jemi duke e shtuar luftimin e krimit dhe korrupsionit, sepse strukturat ilegale janë edhe struktura kriminale, janë edhe banda kriminale. Andaj, ne nuk i luftojmë ata pse janë serbë për nga përkatësia kombëtare, por i luftojmë për shkak se janë shkelës të ligjit, të cilët përveç se kanë fletëarreste në Kosovë, disa prej tyre janë edhe në listën e zezë të Thesarit amerikan. Por, në grupet që i arrestojmë, në individët që arrestohen nga Policia jonë, nuk janë që të gjithë serbë.
Krimi i organizuar është ndërkombëtar dhe multietnik. Aty ka edhe shtetas të vendeve të tjera të Ballkanit, por ka edhe qytetarë shqiptarë të Kosovës. Pra, nuk janë në shënjestrën tonë njerëzit sipas përkatësisë etnike, por sipas veprimtarisë kriminale.
Radio Evropa e Lirë: Lista Serbe ka thënë se atë ditë edhe Milan Radoiçiq është shëtitur rrugëve të barrikaduara të veriut. Si ka mundësi që një person me fletëarrest në Kosovë të qarkullojë aq lirshëm brenda territorit të Kosovës?
Albin Kurti: Policia e Kosovës i ka mbyllur shumë prej shtigjeve ilegale në veri të Kosovës. Mirëpo, këtu nuk kemi pasur edhe mbështetjen e mjaftueshme edhe të faktorëve ndërkombëtarë dhe kemi edhe rrugë ilegale që janë rihapur. Andaj, ne jemi të interesuar për sa më shumë bashkëpunim me KFOR-in që të mos ketë rrugë të tilla ilegale. Rrugët ilegale janë për njerëzit ilegalë, andaj këto rrugë duhet të mbyllen dhe shpresoj që edhe faktorët ndërkombëtarë, ata të sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë, kanë nxjerrë mësimet e duhura në mënyrë që të mos kemi më rrugë ilegale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ne dëshirojmë që gjërat që janë legjitime, legale, pra ligjore, dhe vetëm atëherë qarkullimi i lirë dhe lëvizja e lirë ka kuptim. Lëvizja e lirë në rrugë ilegale nuk është lëvizje e lirë, është lëvizje e ilegalëve. Dhe, këtu ne e vëmë theksin tonë kryesor, por duhet ta keni parasysh se edhe këtu ka një përparim të madh.
Tash, me shumë frikë, kryekrimineli në veri të Kosovës zhvillon ndonjë lëvizje atje, por pakrahsimisht qëndron më shumë në Serbi, ndërkohë që para disa vjetësh ai ka shëtitur i lirë edhe në Prishtinë dhe madje është mirëpritur edhe në Kryeministri. Është dallim i madh me periudhën para disa viteve dhe duhet ta kuptoni që disa njerëz bëhen më të rrezikshëm pikërisht atëherë kur iu vjen fundi.
Radio Evropa e Lirë: Në një intervistë të mëparshme keni përmendur se ekzistojnë rreth 10 organizata ekstremiste serbe që funksionojnë në Kosovë. Cilat janë disa prej tyre dhe a dihet nëse aktiviteti i tyre ka të bëjë edhe me këto tensione?
Albin Kurti: Një pjesë e tyre aktivizohen publikisht në festa si puna e 28 qershorit, kur shënohet Beteja e Kosovës nga viti 1389. Pastaj në festat fetare ata janë shumë aktivë dhe bëjnë veprimtari, ose atëherë kur ka konflikte ose tensione të ndryshme, sepse konflikti për ta është liri. Ata, duke mos qenë në përputhje me ligjin, një situatë si konflikti ua sjell lirinë e dëshiruar dhe gjithashtu bëjnë aktivitet në rrjetet sociale. Ne, me gjithë kapacitetet që kemi, i luftojmë ata, përballemi me ta. Por, janë organizata të cilat nuk ka nevojë as t’i bëj të famshme duke ua përmendur emrat princave nga mesjeta.
Radio Evropa e Lirë: Tashmë është konfirmuar në Bruksel takimi i juaj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht. Cila është agjenda e këtij takimi?
Albin Kurti: Ne nuk kemi një njoftim zyrtar mbi agjendën. Por, ajo çfarë kemi shkëmbyer gjatë komunikimit me Josep Borrellin, që është njëkohësisht edhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian, është se duhet ta synojmë dialogun për marrëveshje – jo dialogun për dialog, por dialogun për marrëveshje – që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme dhe përveç kësaj një marrëveshje, e cila e bën normalizimin e plotë, duke e pasur në qendër njohjen reciproke.
Në këtë kuptim, unë jam i interesuar që më 18 gusht të diskutojmë hapur mbi elementet përbërëse të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes që duam ta arrijmë me dialog.
Radio Evropa e Lirë: A pritet të diskutohet edhe për vendimet e parajmëruara të hyjnë në fuqi në shtator?
Albin Kurti: Vendimi i Qeverisë së Kosovës nga 29 qershori i këtij viti edhe sa i përket targave ilegale nga koha e [Slobodan]Millosheviqit për KM, PE, PZ, DJ, UR e GL, por edhe sa i përket dokumentit në vendkalimin kufitar është vendim sovran i Qeverisë së Kosovës. Ne, vendimet e Qeverisë nuk i negociojmë.
Por, ajo çfarë duhet të bëjmë në dialog është ta realizojmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme. Për atë është dialogu. Nuk është dialogu për të diskutuar për vendimet e Qeverisë së Kosovës. Ne, si Qeveri e Kosovës, i përgjigjemi Kuvendit të Republikës, qytetarëve të vendit tonë. Ndërkaq, vendimet të cilat ne i kemi marrë, është dashur në fakt të mos ketë nevojë të merren sepse Serbia është dashur shumë më herët të pushojë me prodhimin e targave ilegale nga koha e Millosheviqit.
Në fakt, që nga mesi i janarit i vitit 2018 Serbia nuk është dashur të prodhojë më targa ilegale. Prodhimi i targave ilegale po ashtu ka qenë ilegal edhe nga vetë pikëpamja e Serbisë që nga mesi i janarit të vitit 2018. Por, Kosova ka qenë tërësisht pasive në atë kohë. Qeveria e Kosovës në janarin e vitit 2018 ka fjetur dhe në vend se të thotë se nga 16 janari i vitit 2018 asnjë targë PR e KM në Kosovë, në atë kohë [njerëzit që ishin në pushtet] mbase kanë qenë shumë të zënë me lobimin që në mars të vitit 2018 ta kalojnë demarkacionin e padrejtë me Malin e Zi.
Radio Evropa e Lirë: Pra, kjo çështje për ju nuk është e negociueshme në Bruksel?
Albin Kurti: Vendimet e Qeverisë së Kosovës janë vendime të një shteti sovran, i cili është demokratik për dallim nga fqinji ynë verior ku qartazi edhe sipas Transparency International, e thënë butë, kemi regjim hibrid, që është një lloj eufemizmi për autokraci.
Nëse do të duhej të negocioheshin qëndrimet e një qeverie, do të duhej të negocioheshin qëndrimet e një qeverie të një shteti autokratik e jo të një shteti demokratik si Kosova. Dhe, kur kemi parasysh kontekstin aktual të kontinentit tonë me këtë luftën e tmerrshme në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit rus, mund të them që shteti i Kosovës, jo vetëm që është më demokratik sesa i Serbisë, por është edhe më i pavarur sesa i Serbisë.
Kosova është më e pavarur sesa Serbia. Serbia është e varur prej Rusisë. Pesëdhjetë e gjashtë për qind të industrisë së naftës në Serbi i ka Gazpromi. Basenin kryesor të gazit në Serbi, po ashtu e ka Gazpromi.
Mbi 60 për qind të Kuvendit të Serbisë janë në kuadër të Grupit të Miqësisë Serbi-Rusi. Armatimin e kanë nga Rusia, ushtrimet ushtarake i kanë me Rusinë, lidhjet kulturore-historike janë të gjera dhe të thella. Andaj në këtë kuptim, Kosova është vend shumë më i pavarur pakrasimisht sesa Serbia. Pra, ne nuk jemi vetëm më demokratik sesa Serbia, ne jemi edhe më të pavarur sesa Serbia. Ajo është e varur nga Rusia.
Radio Evropa e Lirë: A mund dhe a do të evitohen ngjarjet e 31 korrikut më 1 shtator?
Albin Kurti: Ne do të bëjmë gjithçka që ato të evitohen, por natyrisht që varet sa faktorët ndërkombëtarë do të arrijnë ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj shtetit tonë, ndaj rendit tonë kushtetues dhe ndaj lirisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë.
Radio Evropa e Lirë: Të flasim edhe për marrëveshjen që konsiderohet ndër më problematiket, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A ka lëvizje drejt formimit të këtij Asociacioni dhe ku gjendemi aktualisht me këtë marrëveshje?
Albin Kurti: Kosova e ka Asociacionin e Komunave të Kosovës. Unë besoj se gjithçka mund të realizohet aty. Asociacioni i Komunave të Kosovës është shprehje e unitetit të vendit tonë dhe njëkohësisht është shprehje e brengës sonë për çdo nevojë që mund ta kenë komunat.
Pra, nuk besoj që ka ndonjë çështje që komunat e Kosovës nuk mund ta adresojnë në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Serbët e Kosovës nuk e kanë kërkuar asociacionin njëetnik, ai ka qenë kërkesë e Beogradit dhe fatkeqësisht koncesion i pararendësve të mi.
Radio Evropa e Lirë: I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë që tashmë Asociacioni duhet të diskutohet dhe, sipas tij, ka disa modele evropiane që mund të ndiqen për Asociacionin. A ka ndonjë model të pranueshëm për ju?
Albin Kurti: Modelet, të cilat janë zhvillimore, janë padyshim të nevojshme. Nëse kemi, ta zëmë, komunat e Maleve të Sharrit, ose të Bjeshkëve të Rugovës, ose komunat e Lumit Lepenc, komuna të cilat kanë të bëjnë me veçantinë gjeografike, ekonomike e zhvillimore të komunave, unë jam i interesuar.
Por, asociacione sipas kriterit etnik, nuk e kalojnë testin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të parimit universalist demokratik. Nuk e kalojnë. Pra, nuk duhet të bëhet asociacioni i komunave serbe pse kemi këtë identitet etnik, nëse ia duam të mirën këtij vendi. Dhe, kur kihet parasysh që Beogradi – paralelisht me kërkesën për asociacion njëetnik – deklaron se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, pasi që masakra e Reçakut kurrë nuk ka ekzistuar – atëherë besoj që nuk ka njeri për të cilin nuk është i qartë konteksti në të cilin jetojmë.
‘Pagesa për rrymën në veri është borxh, jo dhuratë’
Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Serbia tashmë janë pajtuar për zbatim të marrëveshjes për energjinë. Megjithatë, kompania e licencuar, Elektrosever, tashmë ka humbur disa afate të parapara që t’i dorëzojë disa dokumente. Si është duke shkuar zbatimi i kësaj marrëveshjeje?
Albin Kurti: Janë dy gjëra për të cilat gjatë qeverisjes sime jemi marrë vesh me Serbinë. Është çështja e targave, që të mos ketë targa të përkohshme, dhe përkohësisht t’i kemi ato letrat ngjitëse mbi simbolet. Edhe kjo duhet të përfundojë, sepse nuk është zgjidhje e përhershme, nuk është zgjidhje evropiane.
Për këtë jemi marrë vesh dhe këtë e kemi zbatuar ne si Kosovë. Dhe, tjetra (marrëveshje) për të cilën jemi marrë vesh, është për fillimin e faturimit të energjisë së konsumuar elektrike në veri të Kosovës. Edhe këtë e kemi zbatuar. I kemi pasur dy javë për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që ta bëjë licencimin e kompanisë në veri. E ka bërë për dy ditë. Ndërkaq edhe sot, pas shumë e shumë javëve, që është dashur të na dorëzohet regjistri i fundit i konsumatorëve në veri, Serbia nuk e ka bërë.
Pra, ne i kemi dy dakordime me Serbinë, dhe është Serbia që nuk po i zbaton. Qeveria jonë, Qeveria aktuale, i ka dy dakordime. Në të dyjat, ne jemi konstruktivë dhe të përgjegjshëm. Atë çka merremi vesh, ne e zbatojmë. Por në asnjërën, Serbia nuk është konstruktive dhe nuk po e zbaton, as në kuptimin e qëllimit, se lëre më të praktikës. Pra, ata as nuk po thonë se do ta bëjnë. Dhe, kjo me të vërtetë është brengosëse. Besoj që faktorët ndërkombëtarë, e në veçanti Brukseli, do të duhej ta regjistronte, qortonte dhe ndëshkonte Beogradin për këtë.
Nuk kam kurrfarë mundësie në dimrin që vjen, të paguaj për veriun e Kosovës. Unë e di që nëse do ta shkëputnim veriun e Kosovës në Mitrovicë, në kuptimin e furnizimit me energji elektrike, menjëherë do të fillonte fushata për krizën humanitare në veri, që do të krijonte pretekst për dy lloj ndërhyrjesh.
E para, Serbia të përfshihet në veri më shumë, dhe e dyta, rrjeti energjetik ekzistues në veri të lidhet me Novi Pazarin.
Unë jam i bindur që ky është synimi i tyre. Ata kanë synim që ne t’i shkëpusim qytetarët në veri të Ibrit në stacionin në Mitrovicë. Mirëpo, ne tashmë kemi paguar për këtë gjë dhe kjo pagesa ynë nuk është dhuratë. Është borxh i regjistruar, që të mos përfundojmë në atë shteg të errët, ndërkaq në anën tjetër, që të mos e rrezikojmë anëtarësimin tonë në ENTSO (Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji). Edhe për këtë arsye ne e kemi paguar.
Por, kjo pagesë që e kemi bërë, e para është borxh dhe është e pamundur që të bëhet në dimrin që vjen. Andaj është shumë e rëndësishme që të zbatohet dakordimi i arritur.
Radio Evropa e Lirë: Por, në praktikë, nëse zbatimi i marrëveshjes dështon, a do të thotë që Kosova është e detyruar sërish të paguajë për banorët në veri. Cilët janë skenarët për dalje nga kjo krizë?
Albin Kurti: Ne nuk kemi mundësi të paguajmë në vjeshtën e vonë dhe dimrin që vjen, andaj duhet që, pa kurrfarë dileme, sa më parë, qysh dje, të zbatohet dakordimi që kemi arritur. Si mund të kërkojnë ata marrëveshje të reja me ne, kur nuk i zbatojnë këto që tashmë i kemi arritur në kohën e Qeverinë sonë? Kjo tregon që Serbia nuk e ka dialogun për marrëveshje dhe nuk e ka marrëveshjen për zbatim.
‘Nuk kemi kapacitet energjetik për të mbuluar pikun e dhjetorit’
Radio Evropa e Lirë: Si do të përballet Kosova me një krizë energjetike këtë dimër, përveç problemit të veriut?
Albin Kurti: Ne bëjmë më të mirën e mundshme, edhe në lidhjen tonë me Shqipërinë, por edhe në përpjekjet tona që të merremi vesh paraprakisht me operatorë të fuqishëm ekonomikë ndërkombëtarë, lidhur me importin që do të na duhet edhe këtë dimër.
Është e qartë që me gjenerimin tonë, me termocentralet, Kosova A, Kosova B, dhe me burimet e ripërtërishme, ne nuk mund ta mbulojmë pikun e dhjetorit dhe të janarit, e mbase edhe të muajve tjerë. Andaj, ne po përpiqemi që ta minimizojmë edhe si sasi të importuar, edhe si çmim për atë import.
Radio Evropa e Lirë: A pritet të jetë dimër i vështirë edhe për bizneset dhe konsumatorët? A pritet të ketë reduktime, çfarë kërkohet prej qytetarëve për atë kohë?
Abin Kurti: Mund të themi që situata do të vështirësohet në stinën e dimrit, mirëpo në çfarë përmase do të jetë kjo, varet edhe prej rrethanave evropiane e globale. Ju po e shihni sesi edhe rritja e çmimeve, përkatësisht inflacioni, edhe shkurtimet në furnizimet me energji, dhe rishikimin e politikave energjetike, janë duke e bërë edhe vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, që janë me dekada para nesh, e lëre më ne të cilët, siç dihet, as liberalizimin e vizave s’e kemi ende.
Ka krizë Gjermania, ka krizë Italia. Janë duke iu kthyer qymyrit. Pra, është situatë e paparë në disa rrafshe, që nga rënia e Murit të Berlinit, e në disa rrafshe që nga Lufta e Dytë Botërore. Andaj, çka varet prej situatave të ardhshme në kontinentin tonë, e që do ta pësojmë edhe ne, nuk është kollaj e parashikueshme sot.
‘Më tepër rrezikohemi nga çmimi i lartë i energjisë sesa nga mungesa e ushqimeve bazë’
Radio Evropa e Lirë: Njëjtë, në Evropë është duke u përmendur një krizë ushqimore e mundshme për shkak të situatës në Ukrainë. Si pritet ta përballojë këtë Kosova?
Albin Kurti: Shpresojmë që furnizimi i Evropës me grurë, edhe çmimet e energjisë, nuk do të jenë të tilla që do të na krijojnë gjendjen më të rëndë në kontinentin tonë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por, një skenar i tillë i errët, me siguri që imagjinohet në kryeqendrat evropiane dhe ato i dizajnojnë politikat e tyre evropiane. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me to.
Ajo çfarë mund të them sot është që, përshtypjet e mia dhe Qeverisë sime, me ministrat, analizat që bëjnë, e kështu me radhë që i trajtojmë, është se, më tepër rrezikohemi nga çmimi i lartë i energjisë sesa nga mungesa e ushqimeve bazë. Pra, besoj që çmimet e larta të energjisë, sidomos për shkak të shantazhit me gazin rus të vendeve të Bashkimit Evropian, do të jenë më të rënda për t’i përballuar, sesa furnizimi me ushqimin bazë. Por, sërish, nuk i dihet. Është e vështirë të flitet në muajin gusht për muajt dhjetor e janar.
Radio Evropa e Lirë: Në intervistën e kaluar na keni thënë që prisni se marrëveshja përfundimtare me Serbinë të bëhet brenda mandatit tuaj. A mendoni sërish kështu?
Albin Kurti: Ashtu mendoj edhe më tej, që brenda këtij mandati ekzistojnë edhe mundësitë, edhe vullneti, edhe interesi për ta realizuar marrëveshjen ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në qendër të së cilës ndodhet njohja reciproke. Pra, qenia e Kosovës është në rregull, jemi shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Ajo çka nuk është në rregull është raporti ynë me Serbinë. Ky është një raport abnormal, që duhet të normalizohet. /Rel/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje