Kurti: Serbia po saboton formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet, në shënjestër deputetët e pakicave

Kryeministri Albin Kurti, ka ngritur alarmin se Serbia po vazhdon përpjekjet për të penguar formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, duke ushtruar ndikim tek disa deputetë të komuniteteve joserbe.
Në një postim në Facebook, Kurti deklaroi se kjo është një vazhdimësi e ndërhyrjeve që Serbia ka bërë në procesin zgjedhor dhe tashmë ka përfshirë edhe përpjekje për sabotimin e konsolidimit institucional.
"Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga këto zgjedhje", ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vënë në dispozicion të Listës Serbe dhe Milan Radoiçiqit burime dhe mjete shtetërore për të realizuar këtë ndikim.
“Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq, i cili në agresionin kriminal e terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023 ishte nënkryetar de jure i Listës Serbe, kurse tani është kryetar de facto i këtij subjekti politik. Në shënjestër janë disa deputetë të pakicave joserbe”, shkroi Kurti.
Ai shtoi se institucionet e sigurisë në Kosovë tashmë kanë informacion të konfirmuar për këto ndërhyrje dhe se kjo çështje ka qenë pjesë e diskutimeve në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Kurti dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, më 9 mars 2025 kishin mbajtur një konferencë të përbashkët për media ku për herë të parë paralajmëruan për ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës./Telegrafi/










































