Mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti ka theksuar rëndësinë e votimit të Qeverisë së re gjatë fjalës së tij para deputetëve në Kuvend.

Ai ka paralajmëruar se mosformimi i qeverisë mund të sjellë pasoja serioze për funksionimin e institucioneve dhe për jetën e qytetarëve.


“Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimin me barna, si dhe funksionimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”, ka deklaruar Kurti.

Albin Kurti e vazhdoi fjalimin duke përmendur disa nga arritjet më të mëdha, sipas tij, të qeverisjes së tij gjatë mandatit të fundit.

Ai citoi institucione e qendra kërkimore të huaja, si qendra amerikane Gallup dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe pastaj kërkoi votat e deputetëve në mënyrë që të vazhdohet kjo lloj qeverisjeje.

“Ne jemi vendi më demokratik në rajon”, tha Kurti, duke shtuar se kjo është arritur nga puna e të gjitha partive politike dhe qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/