Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka bërë thirrje vendeve aleate që të angazhohen për ta bindur pesëshen e vendeve të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës — Spanjën, Greqinë, Sllovakinë, Rumaninë dhe Qipron — që ta bëjnë këtë hap.

Duke folur në Forumin e Paqes në Paris, Kurti tha se Kosova po zhvillon bashkëpunim dypalësh me këto vende, megjithëse progresi është i pjesshëm. Ai përmendi njohjen e pasaportave të Kosovës nga Spanja dhe ngritjen e statusit të Zyrës së Kosovës në Greqi si shembuj të afrimit të marrëdhënieve.


“Dje Kosova u njoh nga Siria. Gjatë këtij viti edhe Kenia dhe Sudani na kanë njohur. Kjo do të thotë se 120 shtete nga e gjithë bota e kanë njohur republikën tonë. Ne po punojmë në mënyrë dypalëshe me këto pesë vende mosnjohëse që janë në BE. Ka pjesërisht përparime... Na duhet që shtetet që na kanë njohur t’i bindin shtetet që ende nuk na kanë njohur që ta bëjnë këtë”, tha Kurti.

Ai shtoi se pavarësisht mosnjohjes formale, këto vende nuk e kundërshtojnë rrugën evropiane të Kosovës dhe integrimin e saj në BE.

“Kemi MSA-në dhe jemi pjesë e Procesit të Berlinit, marrim pjesë në Planin e Rritjes,” tha ai.

Në fjalën e tij gjatë diskutimit “Paqe-ruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”, Kurti theksoi se Kosova përfaqëson “një histori të dyfishtë suksesi” — së pari si shembull i ndërhyrjes ushtarake dhe humanitare të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë, dhe së dyti si shtet ku zhvillimi dhe demokracia ecin krah për krah.