Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se komuniteti egjiptian në Kosovë ka qenë tregues i integrimit në shoqërinë e vendit.

Në shënim të Ditës Memoriale të komunitetit egjiptian, Kurti theksoi se gjatë mandatit të tij qeveritar janë ndarë fonde për investime kapitale dhe projekte që përmirësojnë infrastrukturën për këtë komunitet.


“Komuniteti egjiptian, për shumë gjatë, ka qenë tregues i integrimit në shoqërinë tonë, por edhe shembull i kontributit të vazhdueshëm. Përkundër kësaj, komuniteti egjiptian ka qenë tregim i padëgjuar, pjesë e historisë sonë, por disi jashtë rrëfimit, pasi asnjëherë nuk është tentuar të trajtohet pikëpamja e tyre, qoftë edhe për një çështje nga këndvështrimi i tyre. Një nga vendimet më të mira që kam marrë ka qenë emërimi i Elbertit si ministër – jo vetëm si individ, por si përfaqësues i përkatësisë së tij, duke tentuar t’i japim një trajtim të denjë një përfaqësuesi nga një komunitet i anashkaluar. Gjatë mandatit tonë kemi ndarë fonde për investime kapitale dhe projekte që përmirësojnë infrastrukturën në lagje dhe fshatra”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, që vjen nga komuniteti egjiptian, tha se ka shumë të rinj dhe gra nga ky komunitet që avokojnë për pozita të barabarta në shtet dhe për trajtim dinjitoz në shoqëri.

“Ka më shumë të rinj dhe gra që avokojnë për pozita të barabarta në shtet dhe për një trajtim dinjitoz në shoqëri. Janë disa gjenerata që na bëjnë të kuptojmë se komuniteti ynë është pjesë e rëndësishme në secilën etapë dhe do të jetë pjesë përbërëse edhe në të ardhmen. Në administratën shtetërore, në vitin 2022 ka figuruar vetëm një zyrtar nga komuniteti egjiptian, ndërsa sot janë 15 pjesëtarë nga ky komunitet – një rritje e dukshme edhe në sektorë të tjerë të shtetit. Në vitin 2021 ishin vetëm shtatë pjesëtarë të Policisë nga komuniteti egjiptian, ndërsa sot janë 22 pjesëtarë”, tha ai.

Mirëpo deputeti i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, renditi disa kritika ndaj pushtetit aktual, duke theksuar se në katër vjetët e fundit nuk është bërë mjaftueshëm për komunitetin egjiptian, as në arsimim dhe as në punësim.

“Dua t’ju falënderoj për ndryshimin e bërë në këto katër vjet, ku kësaj radhe Partia Liberale ka marrë ftesë për të qenë pjesë e një tryeze ku manifestohet Dita e Komunitetit Egjiptian. Vërej një ndryshim pozitiv dhe jemi mirënjohës për këtë ftesë. Pa dashur të kontestoj gjithçka që u tha këtu, dhe duke u pajtuar me një pjesë e jo me pjesën tjetër, si liberal besoj se do ta pranoni edhe anën tjetër që ekziston brenda komunitetit egjiptian. Nga ky takim vlerësoj se ka munguar një kujdes institucional për këtë ditë. Egjiptianët janë lojalë ndaj Kosovës, kategori kushtetuese dhe shtetndërtues. Përveç ftesës për të qenë pjesë e këtij takimi, nuk kemi pasur një koordinim paraprak që manifestimi të ishte më dinjitoz. Ky manifestim ka disa mangësi të rëndësishme. Organizimi shtetëror mban tryezë më 20 qershor, ndërsa Dita e Komunitetit Egjiptian është më 24 qershor. Për ne kjo është sikur të shënohet 28 Nëntori më 24 nëntor. Në këtë manifestim nuk është e pranishme as emblema e komunitetit egjiptian. Në një ditë të tillë, ajo duhej të ishte prezente”, tha ai.

Ndërkohë, Dita Memoriale e Komunitetit Egjiptian është më 24 qershor.