LAJMI I FUNDIT:

Mbron ministren Hajdari, Kurti: Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e koruptuar politike, gjykatës e prokurorë të saj dhe media të keqpërdorura

Mbron ministren Hajdari, Kurti: Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e koruptuar politike, gjykatës e prokurorë të saj dhe media të keqpërdorura

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar qytetarëve të Kosovës, pas arrestimeve të sotme në Ministrinë e Indutrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke thënë se nuk ka kurrëfarë korrupsioni e keqpërdorimi. “Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit”, ka thënë ai.

Kurti përmes një adresimi në Facebook, ka thënë se ka besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe punën e saj.


“Qeveria jonë është e përgjegjshme dhe e drejtë. Kemi sjellë progres ekonomik dhe demokratik të paparë në Kosovën e pasluftës. Rezervat shtetërore i kemi gjetur 300 mijë euro e i kemi bërë 25 milionë euro për dy vite”, ka thënë Kurti.

Më tej kryeministri , ka thënë se 97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, tha Kurti.

Më tej ai ka thënë se “qeverisja jonë me ndërgjegje të pastër dhe punë të mira natyrisht se përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20 vjeçare tё Kosovёs. Si e tillë ajo domosdo prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj”.

“Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar”.

Kurti ka shtuar se “Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj”.

“Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artificiale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare”.

“Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe. Do tё dёshtojnё edhe nё frikёsimin e secilit qё i bashkohet karvanit tё reformave progresiste dhe zhvillimit gjithëpërfshirës. Piskamat, shpifjet dhe aksionet pompoze tё tyre do dëgjohen gjithnjё e mё rrallё”, ka thënë Kurti.

“Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit.

Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t’i fshehin edhe shumё gjatё”, ka thënë kryeministri.

Ndryshe, me urdhër të Prokurorisë Speciale,m policia ka arrestuar sot tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore.

Prokuroria tha se të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) konfirmoi se dy prej të arrestuarve janë zyrtarë të saj.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale – e cila e ka dhënë urdhrin për arrestime – tha se të arrestuarit janë personat me inicialet, R.M. H.G dhe I.L.

Të arrestuarve u është caktuar masa e mbajtjes për 48 orë.

Në njoftim është përmendur edhe bastisja e disa ambienteve dhe sekuestrimi i provave materiale.

MINT, ndërkaq tha se gjatë 18 gushtit janë kontrolluar zyrat e dy zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie: të drejtorit të departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Gara dhe të drejtorit të departamentit për integrime evropiane, Irfan Lipovica.

Në një konferencë për media pasditen e së premtes, ministria e Industrisë, Rozeta Hajdari, tha se policia gjatë bastisjeve ka marrë në cilësinë e provave dokumente, që janë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Ajo tha se Policia e Kosovës “nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete”, duke shtuar se marrja e këtyre dokumenteve është bërë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Hajdari ka thënë se dokumentet që janë marrë si prova në Ministri kanë qenë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Hajdari shtoi se nuk ka asnjë dyshim te zyrtarët që janë ndaluar sot, ndërkaq u përgjigj edhe në pyetjen nëse do të japë dorëheqje:

“Unë nuk shoh asnjë arsye të jap dorëheqje, e them me përgjegjësi të plotë”, tha ajo.

Ajo përsëriti qëndrimin e shprehur më herët nga MINT-i se blerjet për rezervat shtetërore janë bërë duke respektuar ligjin. Por, ajo refuzoi që të japë detaje për rezervat shtetërore pasi informacione të tilla, sipas legjislacionit, janë sekret shtetëror.

“Ju njoftoj se vetëm 3 për qind e totalit të furnizimit kemi pasur vonesa gjatë vitit 2022 për të cilat vonesa me datën 8 qershor 2023 është njoftuar edhe Avokatura Shtetërore nga zëvendës sekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore”, tha Hajdari kur u pyet nëse mallrat e blera për rezervat shtetërore kanë arritur në Kosovë.

Aksioni i autoriteteve të rendit në MINT erdhi pas publikimeve të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.

Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, për siç thanë “skandalet dhe aferat korruptive”./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazetarja e RTK-së sulmohet nga qentë endacakë në Prishtinë

Gazetarja e RTK-së sulmohet nga qentë endacakë në Prishtinë

Lajme
Çka deklaroi para trupit gjykues serbi i akuzuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Çka deklaroi para trupit gjykues serbi i akuzuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Drejtësi
Abdixhiku-Kurtit: Jep dorëheqje, cakto datën e zgjedhjeve - LDK do ta caktojë festën

Abdixhiku-Kurtit: Jep dorëheqje, cakto datën e zgjedhjeve - LDK do ta caktojë festën

Politikë
Bislimi jep detaje për takimin në Bruksel: Propozimet e Serbisë ishin për legalizimin e strukturave paralele

Bislimi jep detaje për takimin në Bruksel: Propozimet e Serbisë ishin për legalizimin e strukturave paralele

Lajme
QUINT-i dhe BE-ja reaguan për moslejimin e vizitës së tij, Musliu publikon deklaratën e partiarkut serb ku dezinformon rreth Kosovës

QUINT-i dhe BE-ja reaguan për moslejimin e vizitës së tij, Musliu publikon deklaratën e partiarkut serb ku dezinformon rreth Kosovës

Lajme
Një pishinë e brendshme 1600-vjeçare, e para e këtij lloji zbulohet në Shqipëri

Një pishinë e brendshme 1600-vjeçare, e para e këtij lloji zbulohet në Shqipëri

Lajme
Kalo në kategori