Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se janë ulur largimet e mjekëve jashtë vendit dhe kërkesat për shërim jashtë Kosovës.

“Lajm i mirë nga puna e përbashkët është se ka rënie të theksuar të largimit të mjekëve nga vendi dhe të numrit të kërkesave të pacientëve për shërim jashtë vendit, çka dëshmon përmirësimin e kushteve të punës për profesionistët shëndetësorë dhe të shërbimeve për qytetarët e Republikës”, ka shkruar Kurti në Facebook për vizitën që bëri bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, në Odën e Mjekëve.


Kurti ka theksuar se zhvillim tjetër pozitiv është gjithashtu fakti se në gjashtë muajt e fundit Oda e Mjekëve ka licencuar rreth 50 mjekë nga radhët e komunitetit joshumicë serb, që tregon vullnet të mirë dhe gatishmëri për integrim në sistemin e shëndetësisë.

“Në anën tjetër, sfidë mbetet pensionimi i rreth 1600 mjekëve në 10 vitet në vijim, nga afër 5500 sa janë të licencuar aktualisht. Për këtë na duhet bashkëpunim i ngushtë me Odën dhe planifikim i mirë i Ministrisë së Shëndetësisë për zëvendësim të duhur me mjekë të rinj, në fusha sipas kërkesave dhe në komuna që kanë nevojë”, ka potencuar Kurti.