Kurti falënderon qytetarët dhe aktivistët pas balotazhit: Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i kundërshtarëve

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar pas përfundimit të balotazhit të zgjedhjeve lokale, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe aktivistët e partisë për angazhimin e tyre.
Në një postim në rrjete sociale, Kurti u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve që morën pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë ndaj përfaqësuesve lokalë.
“Ju falemnderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra,” shkroi ai.
Kryeministri në detyrë falënderoi edhe aktivistët e Vetëvendosjes, duke theksuar se partia tani do të qeverisë në shtatë komuna,m ë shumë se kurrë më parë.
“Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin,” u shpreh Kurti.
Ai shtoi se Vetëvendosjen e presin “shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore". /Telegrafi/


















































