Një kontroll në kohën e duhur mund të parandalojë probleme të mëdha më vonë dhe t’i japë fëmijës siguri, shëndet oral dhe një buzëqeshje të natyrshme

Ass.Dr.Sci. Visar Disha
Specialist i Protetikes Stomatologjike
Specialist i Ortodoncisë dhe Ortopedisë së Nofullave
Specialist i Kirurgjisë Orale dhe Implantologjisë
Tel. +38344559287

Shumë prindër pyesin: “Kur është koha e duhur për t’ia vendosur fëmijës aparatin dentar?” Kjo pyetje është thelbësore, sepse drejtimi i dhëmbëve nuk lidhet vetëm me pamjen estetike, por edhe me shëndetin oral dhe zhvillimin e duhur të nofullës.


Vizita e parë tek ortodonti rekomandohet të bëhet rreth moshës 6-7 vjeçare, kohë kur dalin dhëmbët e përhershëm dhe mund të vërehen qartë shenjat e para të keqvendosjes së dhëmbëve.

Pse është i rëndësishëm zbulimi i hershëm?

Ndërhyrja në kohë ka shumë përparësi:

  • Parandalim i problemeve më të mëdha – Sa më herët të zbulohet shtrembërimi i dhëmbëve ose moszhvillimi i duhur i nofullës, aq më lehtë korrigjohet.
  • Zhvillim i shëndetshëm i nofullave – Aparatet e hershme ortodontike mund të udhëheqin rritjen e nofullës, duke krijuar hapësirën e duhur për dhëmbët e përhershëm.
  • Vetëbesim i lartë për fëmijën – Një buzëqeshje e bukur ndikon drejtpërdrejt në sigurinë emocionale dhe sociale të fëmijës.

Shenjat që prindërit nuk duhet ti injorojnë !

Prindërit mund të dallojnë disa tregues të hershëm që fëmija mund të ketë nevojë për aparat ortodonik:

  • Dhëmbë të shtrembër ose të grumbulluar

  • Kafshim i parregullt (dhëmbët e poshtëm mbulojnë të sipërmet)

  • Hapësira të mëdha mes dhëmbëve (diastema)

  • Kafshim i hapur (dhëmbët e sipërm nuk kontaktojnë me dhëmbët e poshtëm)
  • Frymëmarrje me gojë
  • Vështirësi në shqiptim ose përtypje

Nëse vëreni këto shenja,është koha të konsultoheni me ortodontin.

Llojet e aparateve ortodontike për fëmijë

Aparatet e lëvizshme – përdoren kryesisht në moshat më të vogla, për të ndihmuar rritjen e nofullës dhe për të korrigjuar shenjat e para të shtrembërimit të dhëmbëve.

Aparatet fikse (braketat) – aplikohen zakonisht pas daljes së dhëmbëve të përhershëm, për të arritur drejtimin e plotë të dhëmbëve dhe përmirësimin e kafshimit.

Ortodonti është ai që vendos se cili aparat është më i përshtatshëm për fëmijën tuaj, në bazë të moshës dhe nevojave klinike.

Cilat janë përfitimet e drejtimit të hershëm të dhëmbëve?

  • Pamje estetike dhe buzëqeshje natyrale.
  • Higjienë orale më e lehtë dhe parandalim i kariesit.
  • Përtypje dhe të folur më i saktë.
  • Vetëbesim dhe buzëqeshje e sigurt në çdo situatë.

Mesazhi im

Koha më e mirë për të kontrolluar nëse fëmija ka nevojë për aparat dentar është rreth moshës 6-7 vjeçare. Një vizitë e thjeshtë tek Ortodonti mund të bëjë diferencën mes një trajtimi të shkurtër dhe efektiv ose një procesi më të gjatë e të vështirë në të ardhmen.

Mos e lini vendimin për më vonë – një konsultë e hershme i jep fëmijës tuaj mundësinë për të pasur jo vetëm dhëmbë të drejtë, por edhe një buzëqeshje që do ta shoqërojë gjithë jetën. /Telegrafi/