Fondacioni Lumbardhi këtë  të mërkure vijon programin e klubit të filmit "Kinemaja e Zgjeruar", sikurse edhe bisedën e fokusuar në përjetimet lidhur me këtë kinema.

Sipas njoftimit, më 30 prill prej orës 19:00,  biseda do të zhvillohet me ekonomistin Nehari Pinduk, i cili në vitet 1977-1999 ka mbajtur pozicione të ndryshme menaxheriale në kompaninë Liria dhe përgjatë kësaj kohe ka dhënë mësim në shkollën e mesme të lartë profesionale të ekonomisë dhe tregtisë.


“Z. Pinduk mbart me vete një rrugëtim të veçantë falë pasionit të tij për filmat dhe kinemanë duke ofruar ditare të ndryshme, ku ai përgjatë viteve të '70 ka shënuar secilin film që ka parë në Kinema Lumbardhi (Bistrica) e duke vlerësuar secilin sipas perspektivës së tij. Këto materiale ai ia ka ofruar ekipit të hulumtuesve në Kino Lumbardhi për t'i ruajtur dhe arkivuar si dhe ofron një pasqyrë reale të veprimtarisë e gjallërisë së kinemasë në ato vite”, thuhet në njoftimin e Lumbradhit, raporton Telegrafi.

Pas bisedës do të shfaqet filmi "The Visitor" me regji nga Elia Kazan.

“Prodhim i vitit 1972, një dramë psikologjike që reflekton mbi pasojat psikologjike të ushtarëve pasi kthehen nga shërbimi ushtarak (sfondi i cekur në film i përket pasojave traumatike pas shërbimit të tyre në Vietnam) merr trajtën simbolike të ardhjes në shtëpi të dy vizitorëve (miq të protagonistit Bill Schmidt, luajtur nga aktori James Woods) në mënyrë të papritur, e prej andej rikthehen përjetimet e tensionuara e problematike të kyçura në të shkuarën”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Programi i filmave me të njëjtën temë do të vijojë edhe në muajin maj.

Programi dy-mujor fokusohet në kinemanë e kujtimeve, përjetimeve duke sjellë ndërmend eksperiencat e mëhershme të të parit filma në Kino Lumbardhi. /Telegrafi/