Kujt do t'i takojë titulli vjeshtor? Java e 16-të do të zbardh gjithçka

Java e 16-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut pritet të mbyllë gjysmësezonin vjeshtor me duele vendimtare, ku do të mësohet edhe kampioni vjeshtor i këtij edicioni. Ndeshjet zhvillohen nga e premtja deri të hënën, ndërsa gara në krye është hapur, megjithëse me epërsi të lehtë ështe Vardari para Strugës, njofton Telegrafi.
Sipas renditjes aktuale, Vardari hyn në këtë javë si lider dhe është më afër ta mbyllë pjesën e parë të sezonit në vend të parë. Megjithatë, ekipi kuqezi nuk e ka të garantuar epitetin e kampionit vjeshtor. Struga, që ndodhet vetëm një hap prapa, ka shanse reale të kapë kreun, sidomos nëse Vardari ndalet me barazim në duelin ndaj Makedonija Gj.P, ndërsa ata arrijnë fitore në transfertë kundër Tikveshit. Në këtë skenar, Struga do të shkonte në pushimin dimëror si kampione e vjeshtës.
Ndërkohë, kampioni aktual, Shkëndija, ka pësuar ngecje gjatë javëve të fundit dhe praktikisht është jashtë garës për titullin vjeshtor. Megjithatë, tetovarët mbeten ende brenda objektivit madhor, mbrojtjes së titullit në fund të sezonit, pasi distanca me kreun është e rikuperueshme në pjesën pranverore.
Në mesin e tabelës qëndrojnë dy ekipet tjera shqiptare, Bashkimi dhe Arsimi. Të dy skuadrat po zhvillojnë një sezon të qetë, larg zonës së rrezikut, por edhe pa presion për garë në kreun e klasifikimit. Të dyja ekipet synojnë ta mbyllin vjeshtën me rezultate pozitive për të hyrë më të forta në fazën pranverore.
Në anën tjetër, situata më e rëndë i takon Shkupit, i cili po zhvillon sezonin më të dobët në historinë e klubit. Me vetëm një pikë nga 15 ndeshje, Shkupi është ekipi i vetëm që nuk ka provuar ende shijen e fitores. Për të kaltrit e Çairit, java e 16-të është më shumë një përpjekje për të shpëtuar krenarinë sesa luftë për pikë. /Telegrafi/
Dyshet e javës së 16-të:
05.12. – 13:00
• Makedonija Gj.P – Vardari
• Tikveshi – Struga
06.12. – 13:00
• Bashkimi – Shkëndija
07.12. – 13:00
• Shkupi – AP Brera
• Rabotniçki – Sileksi
08.12. – 13:00
• Arsimi – Pelisteri



















































