Kualiteti i shtetit në sfidë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se atij dhe familjes së tij, i është hequr një dert, por që njëkohësisht i janë shtuar shumë të tjera.
“Me siguri e dini se jemi të sfiduar si shoqëri, jemi të ri si shoqëri, jemi demokraci në konsolidimi, por edhe kualiteti i shtetit është në sfidë, sepse nëse njerëzit nuk japin kualitetet më të mira që mujm mi dhanë dhe nuk arrijnë mi fut në funksion mundësitë e resurset tona dhe të miqve tonë, atëherë natyrisht edhe dinamikat janë më të ngadalshme se kërkesat. Dëshira ime është jo me u vlerësua ndryshe prezenca ime fizike, por vetëm si një koleg që i është shtuar të gjithë atyre që punojnë për të mirën e vendit”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe pakicat, për të cilët ka thënë se duhet të jenë urë lidhëse mes shteteve e jo pengesë.
Nuk ka lënë pa përmendur sërish edhe avokatin e tij Ben Emmersen, për të cilin ka thënë se i ka shkuar pas dhe nuk është dëshpëruar aspak.
Ndërsa presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka thënë se lirimi i Ramush Haradinajt ka një domethënie që kalon përgjegjësinë individuale. Sipas saj, kjo është dëshmi se lufta e popullit të Kosovës ishte e pastër dhe e drejtë.
Ajo i është drejtuar Haradinajt, duke i thënë se të gjithë e mirëpresin për të vazhduar punën në përparimin e vendit tonë dhe në përmbushjen e vizionit për të ardhmen.
“Si presidente e vendit e ke përkrahjen dhe mbështetjen time, duke llogaritur në angazhimin tuaj dhe të subjektit politikë që udhëhiqni, që të punojmë, që vendin tonë ta qojmë përpara me kauzën tonë për të ndërtuar një shtet demokratik dhe me përgjegjësi dhe një shoqëri ku të gjithë i gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre të barabarta, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Ta bëjmë Kosovën anëtar të Bashkimit Evropian dhe të NATO-së dhe t’i ruajmë miqtë tanë ndërkombëtar që i kemi fituar me shumë mund”, ka thënë ajo.
Në këtë pritje u panë thuajse të gjithë. Edhe udhëheqës të komuniteteve fetare, përfaqësues të shoqërisë civile, veprimtarë e simpatizantë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. /Telegrafi/


















































