Kryeziu: Bllokada institucionale nuk ka të bëjë me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit e as me votimin e fshehtë, por është krizë politike

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu ka reaguar sërish për dështimin e radhës për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kryeziu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se bllokada institucionale që po zhvillohet aktualisht në Kosovë nuk ka të bëjë as me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, as me votimin e fshehtë.
Sipas tij, këto janë vetëm shenja të jashtme të një krize politike shumë më të thellë, e cila po përshkallëzohet përditë.
“Gjithçka që po ndodh sot, është pjesë e strategjive për të zvarritur kohën dhe për të shmangur të përballen me krizën reale thelbësore”, tha ai.
Tutje ai ka shkruar se në thelb, kriza që ndan sot spektrin politik në Kosovë është kjo: A do të jetë Albin Kurti kryeministër edhe për katër vitet e ardhshme? Për opozitën, përgjigjja është e qartë: Jo e Për Vetëvendosjen, Po.
“Prandaj, kriza reale politike nuk është vetëm çështje procedurash, por përballje me një dilemë politike që kërkon një kompromis të pashmangshëm. Dhe pyetja është: A do të ndodhë ky kompromis tani, për të parandaluar thellimin e krizës, apo më vonë, kur çdo zgjidhje do të vijë si pasojë e dëmit të kryer?”, ka shkruar Kryeziu. /Telegrafi/










































