Kryetari Xheladini pret ambasadorin bullgar, përurohet qendra e hapur e fitnesit në Dragash

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka pritur sot në një vizitë zyrtare ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.
Gjatë takimit në zyrën e tij, kryetari Xheladini e ka njoftuar ambasadorin Kraevski me organizimin politik dhe administrativ të komunës, duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që Ambasada e Bullgarisë ka dhënë ndër vite për Dragashin, përcjell Telegrafi.
“Ambasada e Bullgarisë çdo vit ka financuar nga një projekt për Komunën tonë dhe për këtë jemi thellësisht mirënjohës”, tha Xheladini.
Pas takimit zyrtar, të dy vizituan oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash, ku u përurua qendra e hapur e fitnesit, një projekt i financuar nga Ambasada e Bullgarisë dhe i implementuar nga Komuna e Dragashit në bashkëpunim me OJQ-në “UBUGK”.
“Kjo qendër do të shërbejë si hapësirë sportive dhe rekreative për qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Komunën tonë”, theksoi Xheladini.
Në vazhdim, ambasadori Kraevski dhe kryetari Xheladini vizituan edhe ambientet e brendshme të QKMF-së, ku panë nga afër punën e stafit mjekësor dhe shërbimet që ofrohen për qytetarët.
Kryetari Xheladini i shprehu ambasadorit bullgar falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer, duke theksuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen “në funksion të interesave të qytetarëve të Komunës së Dragashit”. /Telegrafi/


















































